Autoritetet në Ukrainë, Kazakistan dhe Shqipëri kanë goditur dy qeliza rekrutimi të rrjetit kriminal “Khimprom”, të dyshuara se përdornin njoftime të rreme online për vende pune për të tërhequr persona në trafikun e drogës. Në kuadër të operacionit ndërkombëtar, që nisi në gusht 2025, janë arrestuar shtatë persona, mes tyre organizatorë të aktiviteteve të paligjshme dhe rekrutues. Sipas Policisë Kombëtare ukrainase, skema ishte krijuar nga një shtetas rus 36-vjeçar, i njohur me pseudonimin “Meksikani”, i cili dyshohet se ndodhet i fshehur jashtë vendit.
Operatorët e qendrave të thirrjeve publikonin oferta të rreme pune, duke premtuar edhe akomodim dhe ushqim falas. Kandidatët rekrutoheshin për pozicione të ndryshme, përfshirë menaxherë burimesh njerëzore, operatorë, kimistë, montues, korrierë, punonjës logjistike, magazinierë dhe punonjës poste, dhe më pas shpërndaheshin në degët e ndryshme të rrjetit. Gjatë hetimit janë identifikuar qindra persona të rekrutuar dhe 31 dyqane në Telegram. Në maj 2026 u mbyllën qendrat e rekrutimit në Kiev dhe zonat përreth, ku u identifikuan 27 anëtarë aktivë, ndërsa në korrik autoritetet kazake arrestuan 17 persona të tjerë të lidhur me organizatën.
Faza përfundimtare e operacionit përfshiu 35 kontrolle në Kiev dhe në pesë rajone të Ukrainës. Gjatë ndërhyrjeve, autoritetet sekuestruan rreth 4 mijë prova digjitale, 3.600 cigare të mbështjella (“joint”), 24 kilogramë përzierje të përdorur për prodhimin e tyre, që përmbante kanabinoidin sintetik PINACA, si dhe mbi 1.900 qese të parapaketuara. Autoritetet sqarojnë se këto rezultate lidhen me shkatërrimin e dy qelizave të rekrutimit dhe nuk përfaqësojnë goditjen e plotë të të gjithë rrjetit kriminal “Khimprom”.

