Lajme Zone
“Po na përfshini në një debat që s’na përket”, administrata e Gjykatës së Tiranës kërkesë Ministrisë së Financës dhe KLGJ: Na ndani çështjen nga ajo e magjistratëve, duam pagat
EkonomiTop Channel

“Po na përfshini në një debat që s’na përket”, administrata e Gjykatës së Tiranës kërkesë Ministrisë së Financës dhe KLGJ: Na ndani çështjen nga ajo e magjistratëve, duam pagat

Punonjësit e Administratës së Gjykatës së Tiranës, i janë drejtuar me një peticion ministrisë së Financave së Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar që ta veçojë shqetësimin e tyre për pagat nga ajo e magjistratëve.

Punonjësit e Administratës së Gjykatës së Tiranës, i janë drejtuar me një peticion ministrisë së Financave së Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar që ta veçojë shqetësimin e tyre për pagat nga ajo e magjistratëve. Në shkresën që disponon gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, theksohet se punonjësit e administratës për sa i përket administratës gjyqësore, nuk gjen mbështetje në një arsye ligjore që të justifikojë pezullimin apo bllokimin e pagesës së kësaj kategorie punonjësish.

Tre kërkesat e tyre janë:

Procedimin dhe pagesën e menjëhershme të pagave të administratës gjyqësore;

Ndarjen e qartë të çështjes së pagave të administratës gjyqësore nga debati institucional lidhur me pagat e magjistratëve;

Informimin e administratës gjyqësore mbi masat konkrete dhe afatin brenda të cilit do të realizohet pagesa.

Administrata gjyqësore theksojnë në shkresë, ka vijuar dhe vijon të përmbushë në mënyrë të pandërprerë detyrat funksionale të ngarkuara nga ligji dhe se punonjësit e administratës kanë qenë në krye të detyrës, kanë kryer shërbimin e tyre dhe kanë përmbushur përgjegjësitë që lidhen drejtpërdrejt me garantimin e funksionimit të përditshëm të gjykatës.

Në këto kushte, mosdhënia e pagës për punën e kryer nuk mund të justifikohet me një mosmarrëveshje apo ngërç institucional që lidhet me një kategori tjetër të sistemit të drejtësisë.

Ç”ështja e pagave të administratës gjyqësore është e dallueshme dhe duhet të trajtohet në mënyrë të pavarur nga debati institucional që lidhet me pagat dhe mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve”, shprehen punonjësit e administratës.

“Për më tepër, është e pajustifikueshme që një kategori punonjësish, e cila nuk është shkaktare, palë apo subjekt i konfliktit institucional për pagat, të përballojë pasojat e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të rëndë financiare.

Në thelb, administrata gjyqësore po vendoset në pozitën e një pale që detyrohet të mbajë barrën financiare të një konflikti që nuk i përket. Kjo situatë është jo vetëm e padrejtë, por prek drejtpërdrejt të drejtën e punonjësve për t’u paguar për punën e kryer dhe krijon pasiguri të papranueshme për të ardhurat e tyre dhe të familjeve të tyre.

Paga për punën e kryer nuk është një përfitim diskrecional dhe as një mundësi që mund të kushtëzohet nga zgjidhja e çështjeve të tjera institucionale. Ajo përbën detyrim që rrjedh nga marrëdhënia e punës dhe si e tille duhet respektuar sipas ligjit që rregullon këtë marrëdhënie.

Për këtë arsye, konsiderojmë se çdo pengesë në procedimin e pagave të administratës gjyqësore, e cila lidhet me ngërçin e krijuar për pagat e magjistratëve, është e pajustifikuar dhe nuk mund të përdoret si bazë për të pezulluar pagesën e punonjësve të administratës gjyqësore.

Theksojmë gjithashtu se kjo situatë nuk mund të vijojë pa afat. Administrata gjyqësore ka detyrimin të përmbushë funksionet e saj, por edhe institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të garantojnë kushtet financiare minimale që mundësojnë vijimin normal të marrëdhënies së punës.

Mospagimi i vazhdueshëm po krijon një situatë të rënduar ekonomike dhe sociale për punonjësit e administratës gjyqësore, të cilët, pavarësisht mosmarrjes së pagës, kanë vijuar të paraqiten në punë dhe të përmbushin detyrat e tyre”, sqarohet më tej.

“Në kushtet që në listë pagesën dërguar nga Institucioni Gjykata e shkallës së parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, keni identifikuar zërat që kanë problem, (pagat e magjistratëve) kërkojmë që Ministria e Financave të ndërhyjë dhe të marrë menjëherë masat e nevojshme për zhbllokimin dhe procedimin e pagave të administratës gjyqësore, pa e kushtëzuar këtë çështje me zgjidhjen e debatit apo ngërçit institucional që lidhet me pagat e magjistratëve.

Kërkojmë që kjo situatë të zgjidhet brenda një afati sa më të shkurtër dhe të arsyeshëm, duke garantuar pagesën e plotë të pagave të prapambetura dhe vijimin normal të pagesave në përputhje me detyrimet ligjore.

Në të kundërt, nëse mosprocedimi i pagave do të vijojë pa një zgjidhje konkrete dhe pa një afat të përcaktuar, administrata gjyqësore, duke vlerësuar rëndimin e situatës dhe pamundësinë për të përballuar më tej pasojat financiare të kësaj gjendjeje, do të detyrohet të marrë në konsideratë dhe të ndërmarrë masat e nevojshme institucionale dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave të saj, deri edhe në mosparaqitjen në vendin e punës, në kushtet kur detyrimi i punonjësve për të vijuar punën nuk mund të ndahet nga detyrimi i institucionit përkatës për të përmbushur detyrimin themelor të pagesës për punën e kryer.

Ky qëndrim nuk synon të cenojë funksionimin e gjykatës apo të drejtësisë, por përkundrazi synon të kërkojë rivendosjen e normalitetit dhe respektimin e të drejtave të administratës gjyqësore, e cila nuk mund të mbetet peng i një konflikti që nuk i përket dhe nga i cili po pëson pasoja të drejtpërdrejta financiare”, thuhet në shkresë. Top Channel