Lajme Zone
"Po krijon alibi", Veliaj refuzon operacionin në Fier, përplasje me drejtorin e burgut
PolitikëPolitiko

"Po krijon alibi", Veliaj refuzon operacionin në Fier, përplasje me drejtorin e burgut

Drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka reaguar pas refuzimit të Erion Veliajt për t’u paraqitur në Spitalin Memorial, ku ishte planifikuar t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale të hënën, më 23 nëntor. Në një njoftim zyrtar, Qalliu pretendon se kryebashkiaku i Tiranës, i cili kishte kërkuar vazhdimisht kryerjen e operacionit për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ka ndrys

Drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka reaguar pas refuzimit të Erion Veliajt për t’u paraqitur në Spitalin Memorial, ku ishte planifikuar t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale të hënën, më 23 nëntor. Në një njoftim zyrtar, Qalliu pretendon se kryebashkiaku i Tiranës, i cili kishte kërkuar vazhdimisht kryerjen e operacionit për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ka ndryshuar qëndrim në momentin kur ndërhyrja ishte planifikuar të realizohej.

Sipas drejtorit të burgut, Veliaj e ka refuzuar paraqitjen në spital me argumentin se nuk është gati, ndërsa e cilëson këtë qëndrim si një përpjekje për të krijuar alibi dhe për të pretenduar se nuk po merr trajtimin e duhur nga institucionet shtetërore.

“Pas kërkimit me ngulm të ndërhyrjes sipas avokatit dhe vetë shtetasit Erion Veliaj, duke u shprehur se po i rëndohej situata shëndetësore, sot, në mënyrë të befasishme dhe plotësisht të qetë, vetë shtetasi Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet pranë Spitalit Memorial Fier për të bërë të mundur ndërhyrjen”, thuhet në deklaratën e Qalliut.

Më tej, ai shton se “nuk paska qenë problem ndërhyrja, por zhurma dhe alibia për të ngritur pretendimin sikur nuk po trajtohet siç duhet nga instancat shtetërore”. Sipas tij, Veliaj e ka justifikuar refuzimin duke thënë se “nuk është gati”.

Nga ana tjetër, Veliaj ka dhënë një tjetër shpjegim për vendimin e tij. Ai ka bërë të ditur se i është drejtuar Gjykatës së Posaçme për të vendosur lidhur me ndërhyrjen kirurgjikale dhe ka refuzuar të operohet në Spitalin Memorial të Fierit.

“Unë i jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në spitalin Memorial Fier”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj.

Kryebashkiaku ka vënë në dyshim edhe sigurinë e ndërhyrjes në një spital që, sipas tij, i është caktuar nga kryeministri Edi Rama. Veliaj e lidh këtë kundërshtim me transferimin e tij në Fier, të cilin e cilëson si “internim politik”.

“Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?”, ka deklaruar ai.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërhyrja ishte planifikuar pas një konsulte mjekësore të zhvilluar më 18 nëntor në ambientet e burgut. Institucioni pretendon se gjatë kësaj konsultë Veliaj nuk kishte kundërshtuar planin e propozuar dhe se ishte pranuar edhe mundësia që mjeku i zgjedhur prej tij të ishte i pranishëm gjatë operacionit.

Kryebashkiaku duhej të paraqitej në Spitalin Memorial të dielën, më 22 nëntor, për të kryer analizat dhe konsultat paraprake. Burgjet kishin bërë të ditur se mjeku i tij mund të merrte pjesë në përgatitjet para ndërhyrjes, gjatë operacionit ose në të dyja fazat. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm