Lajme Zone
Plani për shpërndarjen e demonstratës -Satirë-
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Plani për shpërndarjen e demonstratës -Satirë-

Ditën e demonstratës ndodhi e papritura. Studentë, të rinj, pedagogë dhe qytetarë mbushën rrugët. Turma rritej nga minuta në minutë. Nuk kishte autobusë të organizuar, lista pjesëmarrjeje apo sufllaqe falas.

Kur të rinjtë e lëvizjes “Revolucioni Flamingo” njoftuan një demonstratë që do të niste nga Ministria e Arsimit, qeveria nuk u shqetësua. Në fund të fundit, sa njerëz mund të mblidhnin disa të rinj pa parti, pa kryetar, pa financime dhe, ç'ishte më e keqja, pa asnjë ish-ministër të akuzuar për korrupsion? Por ditën e demonstratës ndodhi e papritura. Studentë, të rinj, pedagogë dhe qytetarë mbushën rrugët. Turma rritej nga minuta në minutë. Nuk kishte autobusë të organizuar, lista pjesëmarrjeje apo sufllaqe falas. Kjo e fundit e shqetësoi veçanërisht qeverinë. Një protestë pa sufllaqe nuk parashikohej në asnjë manual të Ministrisë së Brendshme. U mblodh menjëherë shtabi i krizës. LEXO EDHE:Vijojnë molotovët e ‘maskave’, policia hedh ujë Policia ishte përdorur aq shumë, sa ndërkombëtarët kishin filluar të ankoheshin. Zjarrfikësit kishin dështuar. Tenderi për gazin lotsjellës ishte vonuar nga ankesat e dy kompanive që pretendonin se kishin ofertën më të mirë për t'i bërë qytetarët të qanin. Forcat speciale ishin të rraskapitura. Madje, një pjesë kërkonin përsëri nga 2 500 euro për të dalë në terren. Atëherë një këshilltar propozoi aktivizimin e forcave rezervë. Nuk bëhej fjalë për ushtrinë. Bëhej fjalë për Partinë Demokratike. Nëpërmjet rrjetit sekret “Oligark Canal Communication”, sinjali mbërriti në SHQUP. Mesazhi ishte i qartë: Të mobilizohen militantët. Flamuri të marrë drejtimin. Të hyjnë në demonstratë, të marrin megafonët dhe pankartat. Mundësisht të rrihet edhe ndonjë flamingo. Por jo rëndë, se pastaj duhet të merremi me Avokatin e Popullit. Në SHQUP u shpall mobilizimi i përgjithshëm. Flamuri, që kishte vite përvojë në përplasjet me policinë, mori një detyrë të re: të përplasej me demonstruesit. Ishte një përparim i rëndësishëm në karrierën e tij revolucionare. Operacioni nisi në orën e caktuar. Të rinjtë kishin një parullë të thjeshtë: “Rama n'burg! Berisha n'burg!”, që për lehtësi e kishin shkurtuar “RnB–BnB”. Ishte një parullë që nuk bënte dallime politike dhe pikërisht për këtë arsye krijonte probleme të mëdha. Në SHQUP u vendos që militantët të përdornin të njëjtën parullë, me një ndryshim të vogël. Ata do të bërtisnin: “Rama n'burg! Belinda n'burg!”. Shkurtimi mbetej i njëjtë, “RnB–BnB”, por kuptimi ndryshonte rrënjësisht. Ishte një zgjidhje gjeniale: për herë të parë në historinë e protestave shqiptare, një demonstratë do të përçahej për shkak të interpretimit të dy shkronjave. Fillimisht u shfaq Gaz Bardhi. Më pas u dëgjua zëri i Flamurit, që kërkonte largimin e qeverisë me atë vendosmëri që vetëm një njeri i sigurt se qeveria nuk do të largohet mund ta ketë. Studentët u habitën. Nuk i kishin ftuar. Madje, disa prej tyre nuk kishin lindur ende kur këta njerëz ishin aty ne politike. Kur flamingot thërrisnin “Rama n'burg! Berisha n'burg!”, militantët përgjigjeshin “Rama n'burg! Belinda n'burg!”. Për njëfarë kohe turma dukej në harmoni të plotë, derisa dikush kërkoi që parulla të thuhej pa shkurtime. Atëherë nisi sherri. Njëri grisi një flamur me flamingo, një tjetër shtyu një student, ndërsa një i tretë kërkoi të dinte kush ishte kryetari i lëvizjes, që të merreshin vesh me të. Kur mësoi se nuk kishte kryetar, u zemërua. Nuk kishte parë kurrë një organizatë kaq të papërgjegjshme. Televizionet ndryshuan menjëherë titullin e transmetimit. Nga “Protesta e të rinjve kundër qeverisë”, kaluan te “Përplasje mes opozitës dhe protestuesve”. Në studio filloi debati nëse shkronja B i përkiste Berishës apo Belindës dhe nëse Flamuri kishte të drejtë të shtynte flamingot për çështje drejtshkrimore. Brenda një ore askush nuk fliste më për kërkesat e studentëve. Në Kryeministri mbërriti raporti përfundimtar. Policia nuk kishte ndërhyrë, nuk ishte përdorur gaz lotsjellës dhe demonstrata kishte humbur drejtimin. Kryeministri u shpreh i kënaqur. Në SHQUP, ndërkohë, Flamuri mbajti një konferencë shtypi dhe deklaroi se Partia Demokratike i kishte dhënë një goditje të rëndë regjimit. Për herë të parë, qeveria dhe opozita ishin plotësisht dakord. Të dyja e konsideronin operacionin një sukses. Kishte mbetur vetëm një problem i vogël administrativ: kujt do t'i faturohej operacioni, Kryeministrisë apo SHQUP-it? Më në fund u vendos që faturën ta paguante populli.Si zakonisht. SI.E. A.E Shqiptarja.com TAG: sali berisha PD protestat kunder qeverise Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

3 Nëntor, 11:50

Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 49.6% Veliajn 19.3% Asnjërin 31.1% Vota total: 1471 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50 Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?