Policia e Shtetit ka arrestuar këtë të hënë autorin e plagosjes së një 39-vjeçari gjatë mbrëmjes së djeshme në Pogradec. Sipas njoftimit të policisë, i lënduar ka mbetur shtetasi O. V., 39 vjeç, i cili u plagos me një mjet prerës, thikë, pas një konflikti të çastit me shtetasin G. G., 55 vjeç, i cili është vënë në pranga. Njoftimi i plotë i Policisë: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, menjëherë pas njoftimit për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 4, ku kishte mbetur i dëmtuar me mjet prerës (thikë) shtetasi O. V., 39 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin G. G., 55 vjeç, kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shoqëruar autorin e dyshuar. Në vijim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi i shtetasit G. G., 55 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë. Shtetasi O. V. po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.
