Një 26-vjeçar është plagosur me mjet prerës mbrëmjen e së dielës në zonën e ish-Parkut, në Tiranë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 19:45. Sipas policisë, i riu me inicialet F. P., 26 vjeç, dyshohet se është goditur me mjet prerës gjatë një konflikti të nisur për motive të dobëta. Pas plagosjes, 26-vjeçari është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Burime zyrtare bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e konfliktit. Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka identifikuar dhe shoqëruar 53-vjeçarin E. P. (S.), i dyshuar si autor i plagosjes. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore.
