Lajme Zone
Pitoni 7-metërsh sulmon dhe gëlltit 35-vjeçarin
BotëJOQ Albania

Pitoni 7-metërsh sulmon dhe gëlltit 35-vjeçarin

Një ngjarje tragjike është regjistruar në Indonezi, ku një 35-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një piton gjigant me gjatësi rreth shtatë metra, i cili e mbyti dhe më pas e gëlltiti.

Një ngjarje tragjike është regjistruar në Indonezi, ku një 35-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një piton gjigant me gjatësi rreth shtatë metra, i cili e mbyti dhe më pas e gëlltiti.

Viktima, Hasim Lubesi, kishte kaluar mbrëmjen në një lokal në provincën Maluku dhe po kthehej në shtëpinë e tij, në fshatin Guaksakai, duke kaluar përmes një zone pyjore. Sipas raportimeve, në orët e para të 27 korrikut, gjarpri doli nga shkurret dhe e kafshoi në këmbë 35-vjeçarin, i cili dyshohet se kishte konsumuar sasi të madhe alkooli.

Më pas, pitoni e mbështolli trupin e tij rreth viktimës, duke i shkaktuar asfiksi, dhe më pas e gëlltiti të tërin.

Familjarët, të shqetësuar pasi ai nuk ishte kthyer në shtëpi, nisën kërkimet përgjatë rrugës që përshkon pyllin. Sipas shefit të policisë së Ishujve Sula, ata gjetën fillimisht njolla gjaku dhe sendet personale të 35-vjeçarit, përfshirë çantën e shpinës dhe sandalet. Pas njoftimit të banorëve të fshatit, u organizua një operacion më i gjerë kërkimi.

Gjatë kontrollit të zonës, banorët zbuluan një piton me bark të fryrë. Pasi e prenë gjarprin, ata gjetën brenda trupin e pajetë të Hasim Lubesit, i cili më pas u dërgua në banesën e familjes për ceremoninë mortore.

Pas ngjarjes, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat pyjore dhe bujqësore, duke rekomanduar që të mos shkojnë vetëm, por në grupe, për të minimizuar rrezikun e sulmeve nga kafshët e egra.

Ky është incidenti i dytë i rëndë në rajon brenda një periudhe të shkurtër. Muajin e kaluar, një piton me përmasa të ngjashme sulmoi një çiklist në të njëjtën zonë, ndërsa në Malukun e Veriut një grua 44-vjeçare humbi jetën pasi u sulmua nga një piton në fermën e saj.

Pitonët retikulues konsiderohen gjarpërinjtë më të gjatë në botë. Ata vrasin prenë duke e shtrënguar fort deri në asfiksi, përpara se ta gëlltisin të tërën.