Lajme Zone
Pikë kthese apo lëvizje taktike?
PolitikëPamfleti

Pikë kthese apo lëvizje taktike?

Në disa qarqe perëndimore, vizita u prit si një shenjë se presidenti serb Aleksandër Vuçiç po largohet përfundimisht nga Moska dhe po afrohet me Evropën. Por një përfundim i tillë mund të jetë i nxituar.

Volodymyr Zelenskyy dhe Aleksandar Vuçiç / Vizita e presidentit ukrainas në Beograd u interpretua në Perëndim si një sinjal i afrimit të Serbisë me Evropën. Por pas kësaj lëvizjeje fshihen interesa shumë më të ndërlikuara dhe një politikë e vjetër balancimi mes Moskës dhe Perëndimit... Të shtunën e kaluar, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, një vend që prej vitesh konsiderohet një nga aleatët më të afërt të Rusisë në Evropë.

Në disa qarqe perëndimore, vizita u prit si një shenjë se presidenti serb Aleksandër Vuçiç po largohet përfundimisht nga Moska dhe po afrohet me Evropën. Por një përfundim i tillë mund të jetë i nxituar.

Vuçiç e ka ndërtuar prej kohësh politikën e tij të jashtme mbi ekuilibrin mes Lindjes dhe Perëndimit. Ai përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me të dyja palët, duke përfituar nga rivaliteti mes tyre. Sot, kjo strategji i shërben edhe për një arsye tjetër.

Përballë protestave më të mëdha të viteve të fundit kundër qeverisjes së tij, Vuçiç ka nevojë për një imazh më të fortë ndërkombëtar dhe për mbështetje nga kryeqytetet evropiane. Prandaj, pritja e Zelenskyt duket më shumë si një lëvizje taktike sesa si shenjë e një ndryshimi të thellë në politikën e jashtme serbe.

Serbia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, aparati politik dhe mediatik pranë Vuçiçit ka përcjellë shpesh narrativat e Kremlinit.

Mediat proqeveritare, kanë përsëritur pretendimet se Ukraina e kishte provokuar Rusinë, kanë promovuar akuza të pabazuara për armë biologjike ukrainase dhe kanë përhapur paralajmërime se ndihma ushtarake perëndimore për Kievin mund ta çojë Evropën drejt një lufte të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Në të njëjtën kohë, Serbia ka ditur ta kthejë luftën në një mundësi ekonomike. Municione të prodhuara në Serbi kanë përfunduar në Ukrainë përmes vendeve të treta. Kjo ka bërë që ish-ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, ta shohë tregtinë e armëve si dëshmi të një marrëdhënieje afatgjatë dhe të qëndrueshme mes Serbisë dhe Ukrainës.

Por Beogradi nuk i shet armët sipas përkatësisë gjeopolitike të blerësit. Industria serbe e mbrojtjes furnizon këdo që paguan, nga vendet perëndimore te Azerbajxhani, shtetet e Gjirit dhe vende të ndryshme afrikane. Sipas raportimeve, armët serbe kanë përfunduar edhe në Mianmar, Sudan dhe te grupe të armatosura në Sahel.

Ndërkohë, Serbia vazhdon të blejë armatime edhe nga Rusia dhe Kina. Vitin e kaluar, Beogradi zhvilloi stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake me Kinën dhe bleu nga Pekini dronë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Edhe pse Serbia pezulloi stërvitjet ushtarake me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës, marrëdhëniet mes shërbimeve të inteligjencës nuk u ndërprenë. Shërbimet serbe kanë vazhduar kontaktet me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, SVR.

Një nga figurat kryesore në këtë marrëdhënie ka qenë Aleksandër Vulin, një aleat i ngushtë i Vuçiçit, ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione. Vulin ka drejtuar shërbimin serb të inteligjencës dhe më pas ka shërbyer si zëvendëskryeministër.

Gjatë kësaj periudhe, ai krijoi një marrëdhënie veçanërisht të afërt me kreun e SVR-së, Sergei Naryshkin. Në mars 2025, ndërsa protestat masive përfshinë Serbinë, Vulin deklaroi se inteligjenca ruse kishte ndihmuar autoritetet serbe për t’u përballur me atë që Beogradi e cilësonte si rrezik për një “revolucion me ngjyra”.

Dokumente të rrjedhura kanë ngritur gjithashtu dyshime për bashkëpunim mes shërbimeve serbe dhe ruse në testimin e topave akustikë të përdorur kundër protestave. Kjo ndodhi pasi demonstrues në Beograd kishin raportuar se ishin goditur nga një valë zanore e pashpjegueshme.

Për Moskën, Serbia ka shërbyer edhe si një terren i favorshëm për operacione të ndryshme në Evropë. Sipas raportimeve, këto kanë përfshirë nga trajnimi i grupeve paramilitare për destabilizimin e Moldavisë, e deri te rekrutimi i agjentëve për operacione provokuese në Francë.

Një tjetër kanal i rëndësishëm i ndikimit rus në Ballkan është Kisha Ortodokse Serbe. Patriarku serb Porfirije, e ka falënderuar publikisht Vladimir Putinin për mbështetjen e Rusisë ndaj Serbisë në çështjen e Kosovës. Ndërsa në vitin 2025, Vuçiç i dha Patriarkut Kirill dekoratën më të lartë shtetërore të Serbisë.

Por politika energjetike është ndoshta shembulli më i qartë i kësaj loje ekuilibri. Serbia vazhdon të jetë shumë e varur nga gazi rus, edhe pse Vuçiç u premton partnerëve perëndimorë se vendi do të diversifikojë burimet e furnizimit.

Një nga projektet që Beogradi po promovon është partneriteti energjetik me Shtetet e Bashkuara, ku përfshihet edhe projekti hidroenergjetik “Đerdap 3”. Por në të njëjtën kohë, pas sanksioneve amerikane ndaj kompanisë serbe të naftës NIS, e cila është në pronësi ruse, Vuçiç është përpjekur të fitojë kohë.

Ai ka kërkuar përjashtime nga sanksionet dhe ka diskutuar ristrukturimin e pronësisë ruse mbi kompaninë. Pastaj është Kosova, ndoshta arsyeja më e rëndësishme pse Rusia mbetet kaq e vlefshme për Beogradin. Moska nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008.

Për Serbinë, kjo mbështetje ka një vlerë të drejtpërdrejtë politike, pasi Rusia mund të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të penguar njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës.

Vuçiç këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë kontrollin rus mbi territoret ukrainase të pushtuara. Por ky qëndrim nuk buron nga ndonjë solidaritet i veçantë me Ukrainën.

Ai lidhet drejtpërdrejt me interesin e Serbisë për të mos krijuar një precedent që mund të përdoret kundër pretendimeve të saj për Kosovën. Në këtë kuptim, vizita e Zelenskit i shërben Vuçiç-it në një moment veçanërisht të ndjeshëm.

Ajo i jep mundësinë të tregojë në Perëndim se Serbia është ende një aktor i rëndësishëm dhe se ai vetë mund të luajë një rol në marrëdhëniet mes Evropës dhe Ukrainës. Kjo ndodh pikërisht kur pozitat e tij brenda vendit janë nën presion të madh.

Brukseli dhe Uashingtoni duan që Serbia të afrohet me Evropën dhe të pakësojë varësinë nga Moska. Nga ana tjetër, Kremlini e sheh Serbinë si një pikëmbështetje të rëndësishme në Ballkan. Vuçiç dëshiron që të dyja palët të vazhdojnë të konkurrojnë për ndikimin mbi Beogradin.

Ai përpiqet të sigurojë përfitimet e Perëndimit, pa hequr dorë nga lidhjet me Rusinë. Kjo strategji është veçanërisht e dobishme tani. Protestat e opozitës janë kthyer në sfidën më serioze politike me të cilën Vuçiçi është përballur prej vitesh.

Një vizitë e profilit të lartë si ajo e Zelenskit, i jep mundësinë të shfaqë një imazh konstruktiv përpara qeverive perëndimore, pa bërë ndonjë lëshim të madh ndaj tyre. Në fund të fundit, pritja e Zelenskyt nuk e detyron Serbinë të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Nuk e detyron të heqë dorë nga energjia ruse dhe as të ndërpresë marrëdhëniet mes shërbimeve të inteligjencës. Pikërisht këtu qëndron problemi për Uashingtonin. Deri tani, Shtetet e Bashkuara i kanë toleruar manovrat e Beogradit, pjesërisht nga frika se një presion i tepruar mund ta shtyjë Serbinë edhe më shumë drejt Moskës.

Në korrik, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç zhvilluan dialogun e parë strategjik SHBA-Serbi. Të dyja palët u zotuan për forcimin e marrëdhënieve, ndërsa Vuçiç vazhdon të ruajë ekuilibrin mes Uashingtonit, Brukselit dhe Moskës.

Por kjo qasje duhet të ndryshojë. Uashingtoni duhet të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve sipas Aktit Global Magnitsky ndaj zyrtarëve serbë të përfshirë në shtypjen e protestave, korrupsion dhe bashkëpunim me Moskën, Pekinin dhe Teheranin.

Rëndësia e vizitës së Zelenskyt në Serbi nuk duhet të matet me fotografitë e shtrëngimit të duarve në Beograd. Ajo duhet të gjykohet nga veprimet që do të vijnë më pas. Nëse Vuçiçi dëshiron legjitimitetin dhe përfitimet që i ofron Perëndimi, atëherë duhet të bëjë zgjedhje konkrete.

Premtimet nuk mjaftojnë më. Deri atëherë, Uashingtoni dhe Brukseli duhet të tregohen më të kujdesshëm. Politika e balancimit që ndjek Vuçiç, nuk duhet ngatërruar me një kthesë të vërtetë strategjike drejt Perëndimit./Pamfleti nga “Kyiv Post”pikë kthese lëvizje taktike Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Vjeshta po troket, qeveria në ankth; kush e ka radhën të largohet? 13 Gusht 2026, 12:4512:45Forum Ben Blushi: A mund të bëhet Shqipëria një shtet më i madh sipas Marko Rubios? 13 Gusht 2026, 09:5309:53Forum Shkupi pas 114 vjetëve, nga kryeqendra historike te horizonti evropian 12 Gusht 2026, 14:1114:11Forum Gafa ballkanike e Zelenskyt 12 Gusht 2026, 11:2811:28Forum Besa e varrosur e qeverisë 'Rama'! 11 Gusht 2026, 15:4215:42Forum Nuancat larushe të 'elektoratit gri' 11 Gusht 2026, 11:1711:17Forum