Lajme Zone
Pezullimi i dy efektivëve nga protesta, Demo: Çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar sipas ligjit
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Pezullimi i dy efektivëve nga protesta, Demo: Çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar sipas ligjit

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestave të zhvilluara prej katër ditësh në disa qytete të Shqipërisë, kryesisht në Tiranë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestave të zhvilluara prej katër ditësh në disa qytete të Shqipërisë, kryesisht në Tiranë. Përmes një deklarate, Demo bëri të ditur se ka kërkuar verifikimin e dy rasteve të dyshuara të tejkalimit të kompetencave nga efektivët e Policisë së Shtetit, ndërsa konfirmoi pezullimin e dy punonjësve. Ministri theksoi se çdo shkelje e ligjit do të hetohet dhe ndëshkohet, duke kërkuar njëkohësisht që reagimi i policisë të jetë në përputhje me ligjin. Deklarata e plotë: Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme. Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë. Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private. Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit. Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin. Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës! Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!