Zhvillime të reja janë raportuar nga incidenti pranë bazës ajrore RAF Fairford në Britani, ku policia arrestoi pesë burra nën dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist dhe vepra penale me eksplozivë. Njësitë britanike për çaktivizimin e bombave vijojnë kontrollet në zonën pranë bazës, ndërsa tre automjete po kontrollohen nga ekipet e specializuara. Për arsye sigurie, dhjetëra banesa pranë vendngjarjes u evakuuan.
Policia kundër terrorizmit tha se pesë të dyshuarit mbeten në paraburgim dhe se hetimi është ende në fazat e para. Nuk është bërë i ditur motivi dhe as identiteti i tyre.
Sipas raportimeve në mediat britanike, banorët e zonës mund të kenë luajtur rol në njoftimin e autoriteteve. Kjo bie ndesh me deklaratën e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se të dyshuarit ishin nën vëzhgim prej kohësh.
Ndërkohë, pranë bazës janë dëgjuar edhe dy shpërthime të kontrolluara, ndërsa autoritetet vijojnë kontrollet.
RAF Fairford përdoret nga Forcat Ajrore amerikane dhe ka shërbyer si bazë për bombardues amerikanë me rreze të gjatë veprimi. Autoritetet britanike dhe amerikane kanë rritur masat e sigurisë, ndërsa hetimi për ngjarjen vijon. Top Channel

