Pas ngjarjeve në Sarandë, ku brenda rreth një viti u regjistruan një seri ngjarjesh kriminale, një zinxhir atentatesh, plagosjesh dhe shkatërrimesh prone, me dy viktima dhe tre të plagosur, mes të cilëve edhe një kalimtar i rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka urdhëruar ngritjen e një Task-Force për rivlerësimin e plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në këtë zonë. Vendimi vjen pas vrasjes së 44-vjeçarit Artan Murtaj, më 20 shtator, në mes të qytetit të Sarandës, ku nga të shtënat mbeti i plagosur rëndë edhe një kalimtar i rastit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm do të përbëhet nga ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike dhe do të kryejë një rivlerësim të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës.
Ndërsa ministra i Brendshëm, Ervin Demo në një takim që ka patur sot me drejtuesit e policisë në qarqe, ku në fokus kanë qenë ngjarjet në Sarandë, ka qenë shumë i ashpër. Ai ka kërkuar shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Sarandë. Top Channel

