Lajme Zone
Persona civilë filmojnë qytetarët në Tiranë, ndalojnë kalimtarët dhe u kërkojnë kartat e identitetit, kush i autorizon?
PolitikëJOQ Albania

Persona civilë filmojnë qytetarët në Tiranë, ndalojnë kalimtarët dhe u kërkojnë kartat e identitetit, kush i autorizon?

Pamje shqetësuese janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Tiranë, ku disa persona të veshur civilë janë filmuar duke qëndruar në zonën ku lëvizin qytetarët dhe protestuesit, duke filmuar dhe monitoruar personat që kalojnë aty.

Pamje shqetësuese janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Tiranë, ku disa persona të veshur civilë janë filmuar duke qëndruar në zonën ku lëvizin qytetarët dhe protestuesit, duke filmuar dhe monitoruar personat që kalojnë aty.

Sipas informacionit të mbërritur në redaksinë tonë, këta persona, që dyshohet se janë pjesë e strukturave të Operacionales, ndalojnë qytetarë në rrugë dhe u kërkojnë kartat e identitetit për verifikim. Pra, jo vetëm që filmojnë qytetarët, por edhe kërkojnë identifikimin e tyre, ndërkohë që nuk mbajnë veshje apo shenja dalluese që t'i identifikojnë si punonjës policie.

Kjo nuk është hera e parë që ngrihen shqetësime për praninë dhe ndërhyrjen e personave me veshje civile gjatë protestave të studentëve dhe qytetarëve në Tiranë. Edhe në ditët e mëparshme janë publikuar pamje të personave të paidentifikuar që ndërhyjnë ndaj protestuesve, ndërsa është kërkuar vazhdimisht transparencë për identitetin e tyre dhe autoritetin me të cilin veprojnë.

Madje, më 19 tetor, deputetja Marjana Koçeku ngriti zyrtarisht shqetësimin për ndërhyrjet e personave me veshje civile dhe pa shenja identifikimi policor, duke kërkuar të bëhet e qartë se kush janë, çfarë kompetencash kanë dhe kush i autorizon të veprojnë në terren.

Por ajo që e bën edhe më problematike situatën është fakti se këto veprime ndodhin në një periudhë kur të rinjtë, studentët dhe qytetarët kanë dalë prej javësh në rrugë për të protestuar kundër klasës politike.

A po kthehet prania në zonën e protestës në një arsye për t'u filmuar, fotografuar dhe identifikuar nga persona që qytetarët nuk e dinë se kush janë? A po synohet të krijohet një klimë presioni dhe frike ndaj atyre që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar?

Ligji nr. 108/2014 "Për Policinë e Shtetit" parashikon se punonjësit e policisë të strukturave të veçanta mund të shërbejnë me veshje civile, por neni 98 përcakton gjithashtu se ata duhet të jenë të pajisur me dokumentin dhe medaljonin zyrtar të identitetit, të cilat duhet t'i paraqesin gjatë ushtrimit të detyrës.

Po kështu, neni 110 përcakton rastet kur policia mund të kontrollojë identitetin e një personi, ndërsa neni 124 parashikon se mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale duhet të kufizohet në ato që janë të nevojshme për parandalimin e rreziqeve reale dhe hetimin e veprave penale. I njëjti nen ndalon mbledhjen e të dhënave vetëm për shkak të bindjeve politike apo përkatësisë në një lëvizje që nuk parashikohet me ligj.

Policia ka detyrimin të garantojë rendin dhe sigurinë publike, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të veprojë pa transparencë, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa respektuar të drejtat e qytetarëve.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme duhet të japin përgjigje konkrete: Kush janë këta persona? Cila strukturë i ka angazhuar? Me çfarë urdhri dhe për çfarë qëllimi po filmojnë qytetarët? Mbi çfarë baze ligjore ndalojnë kalimtarët dhe u kërkojnë dokumentet e identifikimit?

Qytetarët nuk janë objektiv për t'u frikësuar apo për t'u mbajtur nën vëzhgim për shkak se zgjedhin të protestojnë. E drejta për të kundërshtuar qeverinë dhe për të kërkuar llogari nga pushteti nuk mund të kthehet në një arsye për t'i trajtuar si të dyshuar. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)