Përplasja tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë po hyn në një fazë të re tensioni. Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të ndalojë shitjen në SHBA të avionëve të kompanisë kanadeze Bombardier, nëse ata nuk prodhohen në territorin amerikan. Kërcënimi i Trump erdhi vetëm pak orë përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja të Kanadasë ndaj produkteve amerikane, me vlerë rreth 20 miliardë dollarë.
Masat e Otavës hynë në fuqi në orën 00:01 të së martës dhe përfshijnë një rritje të ndjeshme të tarifave për disa kategori mallrash amerikane.
Ndër masat më të forta është rritja në 50% e tarifave për çelikun dhe aluminin amerikan, duke barazuar nivelin e taksave që SHBA-ja aplikon ndaj këtyre produkteve kanadeze.
Tarifa të reja do të aplikohen gjithashtu për produkte letre, materiale ndërtimi, pajisje elektroshtëpiake dhe produkte bujqësore.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka deklaruar se Ottawa do të përgjigjet ndaj çdo mase të re të administratës Trump.
Në një deklaratë në rrjetin e tij social, Trump e kushtëzoi praninë e Bombardier në tregun amerikan me prodhimin në SHBA.
“Nëse duan tregun tonë, duhet të prodhojnë këtu”, deklaroi presidenti amerikan, duke akuzuar Kanadanë se e trajton SHBA-në si një burim financiar.
Bombardier, me seli në Montreal, reagoi duke theksuar se kompania ka një prani të konsiderueshme prodhuese në Shtetet e Bashkuara dhe se aktiviteti i saj ka krijuar dhjetëra mijëra vende pune në vend.
Përplasja e fundit vjen pasi negociatat tregtare mes dy vendeve u ndërprenë muajin e kaluar, në një kohë kur një marrëveshje dukej pranë.
Palët nuk arritën të zgjidhnin disa çështje të mbetura, ndërsa diskutimet u përqendruan edhe te rregullat për përmbajtjen kanadeze dhe frankofone në platformat e transmetimit, si dhe te kërkesat për etiketimin e produkteve në anglisht dhe frëngjisht.
Carney ka kritikuar publikisht mënyrën e negociimit nga pala amerikane, duke kërkuar që Uashingtoni të heqë dorë nga deklaratat politike dhe të rikthehet te bisedimet serioze.
Përshkallëzimi i konfliktit tregtar mund të prekë edhe sektorë të tjerë strategjikë.
Doug Ford, kryeministri i provincës së Ontarios, ka paralajmëruar mundësinë e vendosjes së kufizimeve ndaj eksporteve të energjisë elektrike drejt shteteve amerikane si Nju Jorku dhe Miçigani, të cilat furnizohen nga Kanadaja.
Kjo do ta çonte përplasjen përtej tarifave doganore dhe do të rriste presionin mbi konsumatorët dhe bizneset në të dyja anët e kufirit.
Shtetet e Bashkuara kanë një ekonomi shumë më të madhe se Kanadaja, por ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë se Washingtoni do të dalë i padëmtuar nga një luftë tregtare.
Dy vendet janë të ndërvarura në shumë sektorë, veçanërisht në industrinë automobilistike, energji dhe furnizime industriale.
Një shembull është industria e automjeteve, ku fabrikat në Kanada prodhojnë komponentë të specializuar për automjetet që montohen në SHBA. Zëvendësimi i menjëhershëm i këtyre furnizimeve me produkte nga vende të tjera nuk është i thjeshtë. Top Channel

