Lajme Zone
Përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme, Huthitë godasin Arabinë Saudite, 73 të plagosur
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme, Huthitë godasin Arabinë Saudite, 73 të plagosur

Të paktën 73 persona janë plagosur pas një vale sulmesh me raketa dhe dronë të kryera nga rebelët Huthi të mbështetur nga Irani ndaj disa qyteteve në Arabinë Saudite.

Të paktën 73 persona janë plagosur pas një vale sulmesh me raketa dhe dronë të kryera nga rebelët Huthi të mbështetur nga Irani ndaj disa qyteteve në Arabinë Saudite. Sulmet kanë goditur zona civile dhe ekonomike në Abha, Khamis Mushait, Jazan dhe Najran, në jugperëndim të vendit. Mes të plagosurve raportohet se ka gra dhe fëmijë.

Ministria saudite e Energjisë njoftoi se sulmet shkaktuan zjarre në disa pika në rajonin jugor të vendit. Për pasojë, disa operacione u ndërprenë përkohësisht. Autoritetet saudite i kanë cilësuar sulmet si një përshkallëzim serioz dhe kanë paralajmëruar një përgjigje të fortë ndaj Huthive.

Gjeneralmajori Turki Al-Maliki, zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, tha se forcat e koalicionit do të përballen me vendosmëri me sulmet. Edhe Ministria e Jashtme saudite deklaroi se mbretëria rezervon të drejtën të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur sovranitetin e saj.

Përshkallëzimi vjen pasi armëpushimi mes Arabisë Saudite dhe Huthive, i cili kishte mbajtur një qetësi relative për disa vite, është tronditur që prej korrikut. Huthitë kanë intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj objektivave saudite, përfshirë infrastrukturën energjetike dhe anijet që përdorin Detin e Kuq. Grupi rebel ka deklaruar gjithashtu një bllokadë ndaj anijeve saudite në Detin e Kuq, një rrugë strategjike për eksportet e naftës së Arabisë Saudite.

Përveç sulmeve nga ajri, javët e fundit janë shtuar edhe përleshjet në terren mes Huthive dhe forcave të mbështetura nga Arabia Saudite në Jemen. Huthitë kanë përdorur raketa balistike dhe dronë kundër portit të Mocha-s, i cili kontrollohet nga forcat qeveritare. Konflikti mes palëve kishte hyrë në një fazë më të qetë pas armëpushimit të vitit 2022, por tensionet janë rikthyer me intensitet të lartë.

Sulmet janë dënuar nga disa vende arabe. Egjipti i cilësoi ato si një “përshkallëzim të rrezikshëm”, ndërsa Jordania i përshkroi si një shkelje të hapur të sovranitetit të Arabisë Saudite.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë Huthi, Nasr al-Din Amer, deklaroi se grupi do ta vazhdojë përgjigjen dhe se ajo do të jetë më e gjerë se sa raportimet që qarkullojnë në rrjetet sociale.

Përshkallëzimi rrit frikën se konflikti në Jemen mund të shndërrohet sërish në një përballje të drejtpërdrejtë mes Huthive dhe Arabisë Saudite, me pasoja më të gjera për sigurinë dhe furnizimet energjetike në rajon. Top Channel