Edi Rama ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka folur lidhur me protestat në vend. “Në ditët e terrorit ndaj qytetit, komponentët që po zbërthehen hap pas hapi. Ndërkohë që liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme e çdo qytetari, dhuna është një krim i parelativizueshëm dhe i pajustifikueshëm. Për fat të keq, në protestat e javëve të fundit u bënë bashkë të dyja.
Orë e çast, Shqipëria dhe shqiptarët panë me ankth sesi terrori mori peng të gjithë dhe u mbingarkuan me idenë tërësisht të rreme se studentë të pafajshëm idealistë, të dalë në rrugë për të çliruar Shqipërinë, u vunë nën dhunën policore. Një përmbysje dramatike, manipuluese e një realiteti tërësisht tjetër.
Kam ndarë me ju raportet e policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në Europë dhe Shqipëri, në vendet ku ka ndodhur diçka e ngjashme dhe në Tiranë, ku faktikisht ka pasur më shumë se dy punonjës policie të plagosur për një protestues apo kalimtar të lënduar. Në të gjitha vendet e tjera raporti është tërësisht i ndryshëm”, tha Rama.
“Që kur nisi protesta e “Flamingove”, kam thënë se ka arsye për protestë, por që në krye të herës ishte e influencuar rëndë, ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë dhe të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vet.
Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, lëndëve eksplozive e me radhë, përmes doganave dhe nga subjekte të caktuara, janë tani në duart e policisë.
Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, që në emër të neokomunizmit dhe antikapitalizmit ka vendosur të futet në jetën e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e policisë. Por në duart e Policisë së Shtetit janë edhe pjesëmarrësit, ose më saktë një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja, para të ardhura nga jashtë”, tha Rama.
“Padyshim, qershia mbi tortë, ose më saktë glasa mbi tortë, është PD-ja, e cila dje mori edhe autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit”, tha Rama. Top Channel

