Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh edhe Kryeministri, Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen me drejtuesit politikë të PS dhe kryetarët e Komisioneve Parlamentare foli lidhur me komentet dhe deklaratat e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen tij. Ai theksoi se misioni do të vazhdoje deri kur te vendoset flamuri shqiptar në oborrin e Evropës së bashkuar. Ai gjithashtu komentoi thirrjet e qytetarëve gjatë protestave teksa theksoi se kënga e tyre teksa kërkojnë dorëheqjen e tij, e energjizojnë atë. “Këtu vjen një pyetje që ua bëjnë njerëzit: Pse doni të qëndroni akoma më gjatë? Pse nuk e kuptoni që është koha t’u lini vendin të tjerëve, ose ta shprehin copë si dëshirë dhe urdhër: “Po ishalla vdisni një orë e më parë dhe u hapni rrugë të rinjve.” Pyetjet janë legjitime, dëshirat me zë të lartë janë shprehje lirie, ndërsa mallkimet nuk i konsideroj. Pas 13 vjetësh në qeverisje, “Pse doni të qëndroni?” është pyetja më legjitime. Duhet të ndajmë dy gjëra: pse nuk largohemi ne sot dhe pse duam ne të meritojmë vazhdimësinë nesër. Kjo është demokracia dhe një parti nuk e trashëgon timonin e pushtetit, nuk e ka pronë dhe as nuk mund ta lëshojë rrugës. PS ushtron pushtetin sipas Kushtetutës dhe votave në Kuvend. Protestuesit nuk janë populli, as ne këtu nuk jemi populli. Të gjithë jemi pjesë e tij, mund të përfaqësojmë popullin vetëm nëse ai na i jep mandatin në emër të Kushtetutës. Përndryshe, ne flasim vetëm në emrin tonë dhe jo në emër të popullit. As unë, që e kam me vulë e firmë për të përfaqësuar vendin në emër të popullit, nuk e them atë. Se kush është në opozitë e kush në qeveri, e thotë populli me votë kur zgjedh të mandatuarit e tij. Unë mund të vendos për veten time nëse dua t’i dëgjoj ata që këndojnë ‘Rama, jep dorëheqjen’. Ajo këngë më energjizon”, tha ai ndër të tjera.
