Lajme Zone
Përralla politike serbe: Amatorët e ndershëm përballë huliganëve profesionistë!
PolitikëPamfleti

Përralla politike serbe: Amatorët e ndershëm përballë huliganëve profesionistë!

Epo është e qartë se profesoresha nuk e përballoi mirë sulmin e vrazhdë. Por ajo duhej ta priste diçka të tillë. Dhe kur Brnabiç, për shembull, kaloi në një diskurs racist, profesoresha duhej të reagonte më mirë.

Beograd 2026 / Kur ka parë ndonjëherë Evropa që një listë me 250 kandidatë për deputetë, e drejtuar nga huliganë profesionistë të politikës, të përballet me një listë tjetër me 250 amatorë politikë dhe njerëz të ndershëm? Tingëllon si një përrallë. Por a do të jetë edhe fundi si në përralla: fitorja e së mirës mbi të keqen? Le ta nisim me përpjekjen për dialog të profesoreshës Mirjana Nikoliç me zyrtaren e lartë të SNS-së, Ana Brnabiç. Përshtypja e përgjithshme është se, nga njëra anë, pamë një profesoreshë të papërvojë dhe të papërgatitur për atë që po e priste, ndërsa nga ana tjetër një politikane profesioniste dhe e stërvitur, e cila arriti të linte një përshtypje më të fortë.

Epo është e qartë se profesoresha nuk e përballoi mirë sulmin e vrazhdë. Por ajo duhej ta priste diçka të tillë. Dhe kur Brnabiç, për shembull, kaloi në një diskurs racist, profesoresha duhej të reagonte më mirë.

Për të reaguar më mirë, duhej të ishte përgatitur më mirë. Në debatet parazgjedhore të natyrës politike - dhe këtë nuk mund ta themi më butë - basti kryesor nuk është e vërteta, por përshtypja që lë secili.

Njerëzit e ndershëm janë lodhur nga Brnabiç, por shqetësimi që ajo shfaq për “njerëzit e ndershëm”, përmes mënyrës së saj të paraqitjes - e cila nuk ndryshon aspak nga asnjë prej daljeve të saj publike që kur patëm fatkeqësinë të hynim në hapësirën publike - deri diku arriti t’i prekë ata që kanë frikë nga “amatorizmi” i palës tjetër.

Formula e frikës është kjo: mund të jetë një grup huliganësh që vjedhin, gënjejnë dhe rrahin, por të paktën e dimë me kë kemi të bëjmë. Ata paguajnë rregullisht pagat dhe pensionet. Me “këta të tjerët” biem në kaosin e pasigurisë.

Në fund të fundit, Makiaveli - i cili duhet lexuar e rilexuar - e ka thënë bukur: nëse i miri përpiqet të mbetet i mirë mes të këqijve, ai dështon. Ose pranon rregullat e një loje ku nuk ka rregulla, ose humbet.

Me fjalë të tjera, takimi mes zyrtares së lartë të SNS-së dhe profesoreshës nuk ishte një dialog, por, siç shprehet profesori Jovo Bakiç në numrin e ardhshëm të “Vreme”, një përleshje. Në këtë rast, ose pranon të përleshesh, ose nuk hyn fare në ring. Dhe kjo është matrica e veprimit politik modern.

Pikërisht këtu lind edhe çështja e ndershmërisë në politikë: a mundet një listë me 250 njerëz të ndershëm, e mbështetur nga dhjetëra mijëra të rinj të ndershëm dhe nga kush e di sa qytetarë të tjerë - këtë do ta shohim së shpejti - ta mposhtë të keqen në politikë?

Të gjitha dilemat tona, dyshimet tona të bazuara, e gjithë përvoja dhe njohuria jonë, të cilat zakonisht ua mohojmë studentëve me arsyetimin se janë të rinj dhe nuk dinë, janë vënë seriozisht në pikëpyetje pikërisht nga veprimet e studentëve gjatë dy viteve të fundit.

Le të rikujtojmë: fillimisht ishim të pakënaqur kur veprimet e tyre na dukeshin jopolitike. Në fakt, ato ishin politike në kuptimin më të plotë të fjalës. Problemi ishte se ne, njerëzit me përvojë dhe që e konsideronim veten të pathyeshëm, nuk e kuptuam këtë. Pastaj u mërzitëm sërish kur studentët, duke kërkuar zgjedhje, hynë në terrenin politik.

Në vend që të merrnin pushtetin më 15 mars 2025. Apo jo? Dhe si do ta bënin këtë?

Ndërsa ne, njerëzit me përvojë, harruam me një lehtësi të jashtëzakonshme se për 14 vjet nuk kishim qenë në gjendje t’i kundërviheshim regjimit, pavarësisht njohurive, urtësisë politike dhe përvojës sonë.

Ndërkaq studentët, aq të paditur, të pamatur dhe të papërvojë sa i konsideronim, e tronditën regjimin brenda dy vitesh. Me çfarë? Me qëndrimin e tyre, në të cilin ndershmëria dhe respekti për ligjin ishin në vend të parë.

Ose mund të jetë edhe kështu: regjimi, në të cilin sjnë baktere vdekjeprurëse, nuk ishte në gjendje t’i rezistonte politikës së ndershmërisë, atij oksimoroni - sepse politika dhe ndershmëria gjoja nuk shkojnë bashkë - dhe filloi të kalbet natyrshëm nga brenda.

Ana Brnabiç mund të thotë gjithçka që i shkon në mendje, pa i lëvizur qerpiku. Sepse ajo është profesioniste e politikës, ndryshe nga profesoresha Mirjana Nikoliç. Pikërisht për këtë arsye, sjellja e pacivilizuar e Brnabiçit mund t’u jetë dukur disa njerëzve më bindëse sesa qëndrimi i një profesoreje të civilizuar.

Brnabiç nuk turpërohet nga asgjë dhe e promovon paturpësinë si një virtyt politik. Por kjo vlen vetëm nëse shikuesi i atij debati të dështuar - a priste kush që të ishte i suksesshëm? - nuk e kishte idenë se kush ishte Brnabiç, ose nëse e interpretonte dhunën verbale të një zyrtareje të lartë të partisë në pushtet si, nuk i dihet, një lloj aftësie retorike.

Megjithatë i gjithë operacioni i listës së studentëve, bazohet pikërisht në faktin se ata nuk duhet të ngjajnë aspak me esenët. Të mos përsërisin “profesionalizmin” e tyre. Të mos hyjnë në atë gropë septike në të cilën SNS-ja e ka shndërruar hapësirën publike.

Pyetja e madhe është nëse ka kuptim të organizosh ndonjë takim me huliganë. Ka shumë gjasa që një numër mjaft i madh qytetarësh ta kenë kuptuar se SNS-ja është një lloj kariesi, që përpiqet ta bindë dhëmbin se, në të vërtetë, është ilaçi i tij.

Dhe kariesi, për të qenë të sinqertë, nuk kurohet me karies. Ai pastrohet me atë trapanin e frikshëm të dentistit. Pikërisht ai trapan, së bashku me këmbënguljen dhe durimin, është ndershmëria si madhështi politike, një ndershmëri ku aftësia dhe përgatitja nuk janë aspak të tepërta./Pamfleti nga “Vreme”përralla politike serbe amatorët e ndershëm huliganë profesionistë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Kur anarkia e kulisave korrupton integritetin kombëtar 28 Shtator 2026, 14:4914:49Forum Dy kryeministra në Amerikë 28 Shtator 2026, 10:1510:15Forum Iluzioni i pushtetit që vjen nga lart 27 Shtator 2026, 22:2822:28Forum Fundi i çdo harbuti është i njëjtë! 27 Shtator 2026, 18:2618:26Forum Edi Rama: Mua s’më akuzon dot askush! 27 Shtator 2026, 15:3915:39Forum Predikimi në shkretëtirë 26 Shtator 2026, 20:0220:02Forum