Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

Përplasjet në PS, Murrizi: Bëjnë parimorin pas pilafit! Spiropali do votojë sërish në rresht nëse vjen rasti


Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka komentuar përplasjet brenda Partisë Socialiste, duke u ndalur te deklaratat e fundit të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës pas përjashtimit të tyre nga forumet drejtuese të PS-së.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka komentuar përplasjet brenda Partisë Socialiste, duke u ndalur te deklaratat e fundit të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës pas përjashtimit të tyre nga forumet drejtuese të PS-së. I ftuar në emisionin “Prime News24”, Murrizi tha se nuk është në dijeni të një vendimi të marrë nga Asambleja e Partisë Socialiste për largimin e tyre, ndërsa kritikoi ashpër reagimet e dy figurave socialiste, duke i akuzuar se kanë zgjedhur të flasin vetëm pasi janë larguar nga funksionet. “Nuk di të jetë votuar në Asamblenë e PS-së për largimin e Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Asambleja është organi më i lartë dhe nuk e di kush i ka përjashtuar, por ata megjithatë kanë stilin e tyre ku flet ‘shoku Enver’ dhe të gjithë duartrokasin. Më tërhoqi vëmendjen deklarata e Ndrecës ku tha se nga sot nuk do të jetë më i heshtur. Edhe Elisa. Jo vetëm në PS, por kudo, bëjnë parimorin pas pilafit ose kur kërcënohen vetë. Duhet të flasësh atë që ti mendon se është e vërtetë dhe e drejtë kur je atje brenda”, u shpreh Murrizi. Ai vijoi me kritika të ashpra ndaj dy socialistëve, duke deklaruar se gjatë kohës që kanë qenë në pushtet kanë heshtur për çështje që, sipas tij, kanë dëmtuar vendin.

“Por të flasësh pasi ke ikur nga 10 funksione ku ke qenë si veshka mes dhjamit, dhe të thuash sot kur ka 14 vite që shqiptarëve u vihet shkelmi në fyt edhe nga heshtja jote, me heshtjen tënde ke vrarë jo pak shqiptarë, të ka ardhur mirë të bësh tendera, të kanabizohet vendi, të shitet Shqipëria për 1 lek atje ku ka dashur Rama dhe tani nuk flasin. Kështu janë në tufë”, deklaroi ai.

Murrizi u shpreh se, sipas tij, Spiropali do të vijojë të votojë në Parlament në rresht me socialistët, pavarësisht deklaratave të saj të fundit, ndërsa vuri në pikëpyetje përmbajtjen e reagimit të saj.

“Po të vijë radha, Elisa Spiropali do votojë sërish në rresht me mandatin e deputetit në Parlament. Po e morën vesh 99% e socialistëve në atë pamfletin që ka bërë Elisa, të më thërrasësh mua. Jo trëndafilat, jo kjo, jo ajo, nuk e ka kuptuar kush. Ke quan kërcënim Elisa? Këta që shajnë në Facebook?”, tha Murrizi.

Ai e këshilloi Spiropalin që, nëse ka marrë kërcënime konkrete, t’u drejtohet institucioneve përkatëse dhe të bëjë kallëzim, duke përmendur SPAK-un dhe organet e drejtësisë.

“Ato me emra konkretë, nëse e kanë kërcënuar, këtu është SPAK. Shko edhe kallëzoji, edhe shpifësit nëse kanë shpifur. Janë dënuar njerëzit me gjobë për shpifje. Ose në SPAK nëse ke një kërcënim të fortë, të vetja, të familja etj. Nëse e ka kërcënuar Ballukun, le ta kallëzojë. Edhe Ramën. Se unë nuk e di kush e ka kërcënuar”, u shpreh ai.

Në vijim, Murrizi pretendoi se figurat e mazhorancës i njohin mirë veprimet e njëri-tjetrit gjatë kohës që kanë qenë në pushtet dhe iu referua deklaratave të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj për vendimmarrjen qeveritare lidhur me kultivimin e drogës në Shqipëri.

“Këta gjatë kohës që ishin me njëri-tjetrin në pushtet, ia dinë njëri-tjetrit çfarë kanë bërë! Janë një ndërmarrje. Kur uleshin, a ka dalë Arben Ahmetaj që është marrë vendim qeverie që të mbillet Shqipëria me drogë. Jo më nuk dinë tenderat këta”, përfi Murrizi. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb