Pas tensioneve dhe përplasjeve fizike në seancën parlamentare, Partia Socialiste kërkon masa disiplinore për 20 deputetë demokratë. Për gjashtë prej tyre propozohet përjashtim për dy muaj, ndërsa për 14 të tjerët për 10 ditë.
Sekretariati i Etikës në Kuvend mblidhet sot në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e socialistëve për marrjen e masave disiplinore ndaj 20 deputetëve të Partisë Demokratike, pas përplasjeve të regjistruara gjatë seancës së fundit parlamentare.
Masat më të rënda kërkohen për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Edi Palokën, Fidel Krekën, Luçiano Boçin dhe Besart Xhaferrin. Për këta gjashtë deputetë, socialistët propozojnë përjashtimin nga veprimtaria parlamentare për dy muaj, duke i akuzuar për përfshirje në përplasje fizike dhe konfrontime me deputetë të mazhorancës.
Për 14 deputetët e tjerë të PD-së, kërkesa e socialistëve është për një masë më të shkurtër, prej 10 ditësh përjashtim. Sipas PS-së, këta deputetë u përfshinë në bllokimin e foltores, duke penguar zhvillimin normal të seancës plenare.
Në këtë grup përfshihen Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

