Protesta e studentëve dhe qytetarëve më 13 tetor në Tiranë zgjati mbi tetë orë dhe u shoqërua me përplasje me policinë, të lënduar dhe dëmtime të institucioneve e bizneseve private. Tubimi nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, ku pjesëmarrësit u mblodhën me pankarta dhe thirrje kundër problematikave që prekin të rinjtë në arsim. Në fillim, disa protestues hodhën vezë, tullumbace me ujë dhe kapsolla drejt godinës, lyen fasadën me bojë të kuqe dhe shkruan grafite. Më pas, situata u përshkallëzua: u shkulën kangjella dhe pllaka trotuari, të cilat u hodhën drejt ministrisë dhe efektivëve, ndërsa u thyen xhamat e ndërtesës. Rreth një orë pas nisjes së protestës, policia ndërhyri me autobotë me ujë, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Pati përplasje fizike dhe nisën shoqërimet. Pas shpërndarjes së parë, ekspertët e kriminalistikës nisën mbledhjen e provave, por grupe protestuesish u rikthyen para ministrisë dhe tensionet rifilluan. Gjatë pasdites, përplasjet u shtrinë përgjatë Rrugës së Durrësit. Disa protestues dëmtuan një institucion financiar dhe një dyqan rrobash. Nga ambientet e institucionit financiar u nxorën mobilie dhe orendi, të cilave iu vu flaka në rrugë. U dogjën edhe kosha mbeturinash, kartonë dhe reklama. Në bilancin e parë zyrtar, policia njoftoi për 23 persona të shoqëruar, gjashtë efektivë dhe një gazetare të lënduar. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dënoi dhunën ndaj policëve dhe bëri thirrje për uljen e tensioneve. Ndërkohë, Avokati i Popullit nisi një hetim administrativ për të vlerësuar nëse përdorimi i forcës nga policia kishte qenë i domosdoshëm dhe proporcional. Rreth orës 20:00, policia ndërhyri sërish me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Më pas, një grup protestuesish u zhvendos drejt Bashkisë së Tiranës, ku disa pjesëmarrës goditën hyrjen me gurë, thyen derën dhe hynë në katin e parë, duke ndezur flakadanë. Policia ndërhyri dhe shoqëroi persona të përfshirë në incidente. Në vijim, tensionet u zhvendosën në zonën e 9-katësheve dhe te Pazari i Ri. U raportuan semaforë të dëmtuar, kosha në flakë dhe zjarre pranë tezgave e strukturave prej druri. Ambasada amerikane u kërkoi shtetasve të saj të shmangnin zonat e protestës. Agjencia për Media dhe Informim përgënjeshtroi pretendimet se dy studentë ndodheshin në intubim. Në një reagim të dytë, ministri Demo theksoi se pjesëmarrja në protestë nuk e bën automatikisht një person përgjegjës për incidentet dhe se çdo ndërhyrje policore duhet të jetë e ligjshme, e nevojshme dhe proporcionale. Të lënduarit, mes tyre protestues, policë, gazetarë dhe kalimtarë, morën ndihmë në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Në përditësimin e fundit të mbrëmjes, ministrja e Shëndetësisë, Klodjana Spahiu, njoftoi se shtatë persona vijonin të trajtoheshin te Trauma: një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë. Sipas saj, të gjithë ndodheshin jashtë rrezikut për jetën. Një 19-vjeçar me dëmtime të rënda në këmbë deklaroi për Euronews Albania se nuk kishte qenë pjesë e protestës dhe se ishte dhunuar nga policia. Pas këtij rasti, u raportua pezullimi nga detyra i shefit të Rendit në Komisariatin nr. 1 dhe i katër efektivëve. Protesta përfi pas më shumë se tetë orësh. Sipas raportimeve të fundit numri i të arrestuarve llogritet ne rreth 40, por ende nuk ka nje knfirmim zyrtar. Shefi i Urgjencës së Traumës: Nuk ka humbje jete apo pacientë të intubuar Disa qytetarë të lënduar gjatë protestës së 13 tetorit në Tiranë kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Shefi i Urgjencës, Agustin Suma, deklaroi se shumica e pacientëve kishin dëmtime të lehta. Sipas tij, rasti më i rëndë është një 19-vjeçar me frakturë të kërcirit të djathtë, i cili ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe do të shtrohet në pavionin e ortopedisë. “Kryesisht kanë qenë me dëmtime të lehta. Rasti i fundit ishte me një frakturë të kërcirit të djathtë. Ritheksoj që nuk ka asnjë pacient të intubuar apo humbje jete. Djali me këmbën e thyer do të shtrohet në pavionin e ortopedisë. Djali është në gjendje të stabilizuar. Gjendja e pacientëve është e stabilizuar”, tha mjeku Agustin Suma. I pyetur nga gazetarët për efektivët e lënduar, ai bëri të ditur se shtatë punonjës policie ishin paraqitur për ndihmë mjekësore dhe se të gjithë ishin larguar nga spitali pas trajtimit. 1 / 24 Ministrja Spahiu: Shtatë persona po trajtohen te Trauma, të gjithë jashtë rrezikut për jetën Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, bëri të ditur se shtatë persona të lënduar gjatë protestës së 13 tetorit në Tiranë po trajtohen në Spitalin Universitar të Traumës. Sipas saj, bëhet fjalë për një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar nga Trauma pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë marrë trajtim dhe më pas janë larguar një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe gjashtë protestues. “Situata po ndiqet në vijimësi, përmes komunikimit të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore. Informacioni mbi numrin e personave të trajtuar dhe gjendjen e tyre shëndetësore përditësohet në bazë të të dhënave të verifikuara nga strukturat përkatëse”, u shpreh Spahiu.
