Gadi Eisenkot dhe Benjamin Netanyahu Benjamin Netanyahu po kërkon rifillimin e sulmeve ushtarake kundër Iranit, ndërsa Gadi Eisenkot, i mandatuar për formimin e qeverisë së re është kundër operacioneve të panevojshme ushtarake. Eisenkot e kishte akuzuar më parë Netanyahun se po i mohonte informacionet e sigurisë kombëtare, duke paralajmëruar se operacionet ushtarake jo urgjente mund të kenë pasoja shkatërruese për demokracinë izraelite. Disa orë pasi kryeministri Benjamin Netanyahu i paraqiti një raportim mbi çështjet e sigurisë kreut të partisë Yashar, Gadi Eisenkot, televizionet izraelite publikuan detaje mbi që u diskutua gjatë takimit dhe nëse rifillimi i luftës me Iranin ishte urgjent.
Përpara takimit, një burim i Channel 12 tha se informacionet e inteligjencës do të ndryshonin mënyrën se si Eisenkot i shihte motivet e Netanyahut. Kryeministri në detyrë, me sa duket, synonte ta përdorte takimin për të theksuar nevojën e rifillimit të shpejtë të luftimeve me Iranin.
“Sapo Eisenkot të njihet me panoramën e plotë të informacioneve të inteligjencës, do të kuptojë gjithçka. Pas këtij takimi, ai nuk do të veprojë më në të njëjtën mënyrë dhe nuk do të dyshojë më për motivet e kryeministrit”, tha burimi.
Megjithatë, institucionet izraelite të sigurisë nuk shohin zhvillime në Iran që të justifikojnë një operacion të menjëhershëm, pavarësisht se Netanyahu ka kërkuar vazhdimisht veprime ushtarake, si përpara ashtu edhe pas zgjedhjeve në Izrael. Kritikët e tij e kanë akuzuar se këto përpjekje lidhen me motive politike.
Qëndrimi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), i paraqitur gjatë takimit me Netanyahun dhe Eisenkotin, ku mori pjesë edhe sekretari ushtarak i Netanyahut, gjeneralmajor Guy Markizeno, ishte se Izraeli nuk kishte ndonjë nevojë urgjente për të sulmuar Iranin.
Mirëpo u la e hapur mundësia, se nëse presidenti amerikan Donald Trump do të rifillonte sulmet amerikane, atëherë Izraeli duhej t'u bashkohej luftimeve.
Channel 13 raportoi gjithashtu se presidenti Isaac Herzog kishte ndërmjetësuar mes Eisenkotit dhe Netanyahut për të siguruar zhvillimin e takimit, megjithëse televizioni theksoi se Presidenca e mohoi përfshirjen e saj.
Takimi u zhvillua një ditë pasi Eisenkot e akuzoi publikisht Netanyahun se kishte refuzuar t'i jepte një raportim mbi çështjet e sigurisë dhe i kërkoi Prokurores së Përgjithshme, Gali Baharav-Miara, të ndërhynte.
Ai paralajmëroi gjithashtu se veprimet ushtarake jo urgjente mund të kishin “pasoja shkatërruese” për demokracinë izraelite dhe i bëri thirrje Netanyahut të mos i vendoste drejtuesit e institucioneve të sigurisë përballë “një konflikti të rëndë kushtetues”.
Deklarata e Eisenkotit, e cila nuk e përmendte drejtpërdrejt Iranin, erdhi pas raportimeve se Netanyahu po kërkonte një operacion ushtarak kundër Teheranit, pavarësisht kundërshtimeve të drejtuesve të sigurisë.
Kujtojmë se kryeministri kishte kërkuar një ndërhyrje të ngjashme ushtarake kundër Iranit edhe në prag të zgjedhjeve të 27 tetorit. Edhe atëherë, zyrtarët e mbrojtjes e kishin kundërshtuar një veprim të tillë, nga frika se mund të shkaktonte përshkallëzim të konfliktit dhe të pengonte procesin zgjedhor.
Blloku i Netanyahut humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e muajit të kaluar. Të dielën, Herzog ngarkoi Eisenkotin me formimin e qeverisë, pasi ai mori numrin më të madh të rekomandimeve nga deputetët.
Megjithatë, Netanyahu mbetet kryeministër në detyrë dhe ruan kontrollin mbi qeverinë dhe forcat e sigurisë deri në formimin e kabinetit të ri.
Një raportim i veçantë, i publikuar të mërkurën nga transmetuesi publik Kan, bëri të ditur se Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) kishte paralajmëruar së fundmi përfaqësuesit e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në Amerikë që të përgatiteshin për një rifillim të mundshëm të konfliktit kundër Iranit.
Duke cituar një burim amerikan, transmetuesi raportoi se edhe shtetet arabe të Gjirit Persik ishin informuar për një rifillim të mundshëm të luftimeve. Mesazhi ishte përcjellë gjithashtu përmes zyrtarëve të sigurisë.
Megjithatë, vetë Trump e ka minimizuar gjatë ditëve të fundit mundësinë e rikthimit në luftë, ndërsa njëkohësisht ka këmbëngulur se nuk i intereson nëse do të arrihet apo jo një marrëveshje.
Konflikti ka vazhduar, megjithëse në një shkallë shumë më të vogël, që nga sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, të cilat nisën në fund të shkurtit. Këto sulme e shtynë Teheranin të bllokonte Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore me rëndësi kritike për transportin e energjisë.
Bllokada ka shkaktuar pasoja të rënda në ekonominë botërore, duke çuar në rritje të menjëhershme të kostove të energjisë.
Si kundërpërgjigje, ushtria amerikane vendosi një bllokadë detare ndaj Iranit dhe ka punuar për të ndihmuar në mbrojtjen e cisternave të naftës që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit nga sulmet iraniane, me synimin për të rikthyer flukset e energjisë drejt niveleve që kishin përpara luftës./ Përshtati "Pamfleti" nga "The Times of Israel"benjamin netanyahu eisenkot Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Si u “dorëzua” njeriu që ndërtoi perandorinë Nvidia, Bloomberg zbulon prapaskenat e rënies së Jensen Huang 13 Nëntor 2026, 10:5110:51Rajoni dhe Bota Trump jep sinjale për ndërhyrje ushtarake në Kubë: Dua ta zgjidh këtë çështje para se të largohem nga Shtëpia e Bardhë 13 Nëntor 2026, 10:3110:31Rajoni dhe Bota 'Ndizet' lufta në Lindjen e Mesme, Irani shkatërron radarin amerikan në Bahrein 13 Nëntor 2026, 09:0509:05Rajoni dhe Bota Kaliningradi, pika e dobët dhe arma strategjike e Putinit që mund të shkaktojë luftë me Evropën 13 Nëntor 2026, 09:0409:04Rajoni dhe Bota Negociatat SHBA-Rusi për Ukrianën; pse udhëheqësit e BE-së zihen për emrin që do të flasë me Putin? 13 Nëntor 2026, 09:0009:00Rajoni dhe Bota Operacion ndërkombëtar kundër krimit në Dark Web, 354 të arrestuar; sekuestrohen mbi 5 tonë drogë 13 Nëntor 2026, 08:4308:43Rajoni dhe Bota

