Përplasjet mes deputetëve të opozitës dhe shumicës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Gjatë seancës së të enjtes, deputetët e opozitës tentuan të pengonin zhvillimin normal të punimeve, duke hedhur sende dhe duke shkulur mikrofonat nga tavolinat e anëtarëve të shumicës qeverisëse.
Gjatë tensioneve, deputetët opozitarë ngritën lart fotografi të studentëve të plagosur nga policia gjatë protestave në Tiranë, duke e lidhur aksionin e tyre në Kuvend me kërkesat e demonstruesve.
Ngjarja është pasqyruar nga media të huaja, mes tyre The Guardian, e cila raportoi për përplasjet fizike mes deputetëve dhe tensionet e krijuara gjatë seancës parlamentare. Edhe media të tjera ndërkombëtare publikuan pamje dhe raportime për incidentet, ku deputetët e opozitës tentuan të bllokonin foltoren dhe hodhën sende drejt përfaqësuesve të shumicës.
Përplasjet në Kuvend ndodhën në një klimë të tensionuar politike, ndërsa jashtë godinës vijonin protestat e studentëve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë më shumë mbështetje për arsimin dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Top Channel

