Mbi 20 persona kanë mbetur të plagosur, 3 prej tyre në gjendje kritike, pas përplasjes së dy tramvajeve në qytetin e Gelsenkirchenit, në Gjermani. Sipas informacioneve paraprake, një tramvaj ishte ndalur në një segment të hapur të linjës, kur u godit nga një tramvaj tjetër me pasagjerë.
Policia bëri të ditur se rreth 25 persona u plagosën në aksident. Shtatë prej tyre pësuan lëndime të rënda, ndërsa për tre të plagosur gjendja mbetet kritike dhe nuk përjashtohet rreziku për jetën. Të lënduarit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitalet e zonës.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë ngritur një ekip të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat e përplasjes dhe për të përcaktuar pse tramvaji i parë ishte ndalur në mes të itinerarit.
Pas ngjarjes, një pjesë e bulevardit Kurt-Schumacher u mbyll në të dy drejtimet, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim, ndërsa më vonë u rihap vetëm një korsi.
Në vendngjarje u angazhuan dhjetëra ekipe shpëtimi, ambulanca dhe psikologë, të cilët ofruan ndihmë për pasagjerët dhe personat e prekur nga aksidenti. Kryebashkiakja e Gelsenkirchenit, Andrea Henze, e cilësoi ngjarjen si “një tronditje absolute”, pasi pa nga afër dëmet e shkaktuara brenda njërit prej tramvajeve. Top Channel

