Mrekulli në Nepal! Një punëtor kinez është nxjerrë i gjallë nga një tunel hidrocentrali, rreth 10 ditë pasi mbeti i bllokuar brenda tij pas përmbytjeve katastrofike që kanë goditur vendin.
Lu Haitao u gjet rreth 225 metra brenda tunelit të projektit hidroelektrik Upper Trishuli-1, ku ekipet e ushtrisë nepaleze, së bashku me specialistë të huaj, po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Ai u nxor nga tuneli të shtunën dhe iu dha ndihma e parë përpara se të dërgohej për trajtim mjekësor. Sipas autoriteteve, gjendja e tij ishte e qëndrueshme.
Shpëtimi i tij vjen në një moment kur Nepali po përballet me një prej fatkeqësive më të rënda të viteve të fundit. Përmbytjet dhe rrëshqitjet masive të dheut, të shkaktuara nga shembja e një akullnaje më 26 gusht, kanë lënë mbi 1,300 persona të vdekur dhe më shumë se 5,000 të zhdukur, ndërsa dhjetëra projekte hidroelektrike janë dëmtuar rëndë.
Vetëm një ditë përpara shpëtimit të Lu Haitao-s, ekipet e emergjencës kishin nxjerrë të gjallë edhe dy punëtorë nepalezë nga një tjetër tunel i hidrocentralit Trishuli 3A, pasi kishin qëndruar të bllokuar për nëntë ditë. Ata u identifikuan si Sanjay Shah, 30 vjeç, dhe Kabir Maharjan, 45 vjeç.
Këto shpëtime kanë rikthyer shpresën se mund të ketë ende të mbijetuar mes mijëra personave që rezultojnë të zhdukur. Në disa prej zonave më të goditura, familjarët vijojnë të presin për lajme, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në tunele dhe ndërtesa të mbuluara nga balta dhe rrënojat.
Mes një katastrofe që ka shkaktuar një bilanc të jashtëzakonshëm viktimash, çdo person i nxjerrë i gjallë nga rrënojat po shihet si një rreze shprese për familjet që ende presin. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

