Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për mijëra persona të zhdukur dhe përpjekjet për të nxjerrë të bllokuarit në zonat përgjatë kufirit Nepal-Kinë, tre ditë pas përmbytjeve shkatërruese që kanë shkaktuar të paktën 633 viktima.
Sipas të dhënave paraprake, 626 persona kanë humbur jetën në Nepal dhe 7 në Kinë. Autoritetet po rishikojnë vazhdimisht bilancin, ndërsa numri i personave të zhdukur vlerësohet në 2,326 në Nepal, mes tyre 517 të huaj, dhe 554 në Kinë, përfshirë 260 shtetas të huaj. Agjencia e Nepalit për Menaxhimin e Fatkeqësive ka bërë të ditur se 933 punëtorë rezultojnë të zhdukur në hidrocentralin Trishuli 3A, pranë kufirit me Kinën. Në zonë janë gjetur edhe të mbijetuar të bllokuar brenda tuneleve të hidrocentralit, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen t’i nxjerrin prej andej. Megjithatë, kushtet e vështira dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet po pengojnë identifikimin dhe arritjen te hyrjet e tuneleve. Sipas Kryqit të Kuq, fatkeqësia ka prekur deri në 93,000 persona, ndërsa shanset për gjetjen e të mbijetuarve po zvogëlohen me kalimin e orëve. Ekipet e shpëtimit po përballen me vështirësi të mëdha për të arritur në zonat e goditura, ndërsa mungesa e ujit të pijshëm dhe e furnizimeve bazë po rëndon situatën humanitare. Në anën tjetër të kufirit, në Tibet, operacionet e shpëtimit po pengohen nga reshjet e dendura, rrugët e bllokuara, terreni i vështirë dhe rreziku i përmbytjeve të reja. Zona e prekur në Tibet mbetet e mbyllur për gazetarët e huaj, ndërsa informacionet mbi situatën vijnë kryesisht nga mediat shtetërore kineze.
Në Tibet dhe Nepal, përmbytjet e akullit dhe baltës kanë shkaktuar gjithashtu formimin e liqeneve të mëdha, të cilat paraqesin rrezik për shpërthime ose shembje të reja. Autoritetet druhen se këto masa ujore mund të shkaktojnë përmbytje të tjera, duke kërcënuar zonat e banuara dhe duke vështirësuar më tej operacionet e kërkim-shpëtimit dhe dërgimin e ndihmave. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

