Lajme Zone
Pergjigje për Ben Blushin: Kinemaja shqiptare po hyn ne ‘lule të rinisë’
KulturëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Pergjigje për Ben Blushin: Kinemaja shqiptare po hyn ne ‘lule të rinisë’

Rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar po i jep që sot frytet e para. Më në fund ka nisur ai debati dhe diskutimi aq i munguar prej vitesh për filmin tonë kombëtar (dhe jo debati grotesk për një foto ngatërrestare), ndërsa filmat tanë po rikthehen aty ku e kanë vendin e vërtetë: pranë publikut. Pikërisht për këtë arsye, më duhet t’ju falënderoj për këtë shkrim. Në një ambient ku të gjit

Rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar po i jep që sot frytet e para. Më në fund ka nisur ai debati dhe diskutimi aq i munguar prej vitesh për filmin tonë kombëtar (dhe jo debati grotesk për një foto ngatërrestare), ndërsa filmat tanë po rikthehen aty ku e kanë vendin e vërtetë: pranë publikut. Pikërisht për këtë arsye, më duhet t’ju falënderoj për këtë shkrim. Në një ambient ku të gjithë mjaftohen me një buzëqeshje diplomatike apo me urime protokollare me chatgpt, është një surprizë e mirëpritur të shohësh një figurë publike që ndalon, merr penën dhe i kushton një vëmendje kaq të detajuar kinemasë shqiptare. Çfarë nuk kemi dëgjuar e lexuar këto kohë për gjithçka e për çdo gjë, por pothuajse asgjë për filmin! Prandaj, vetëm për faktin se e kthyet vëmendjen e opinionit publik te salla e errët e kinemasë, meritoni një duartrokitje të sinqertë. LEXO edhe...Helidon Haliti: Beni, qyteti dhe urrejtja ndaj pasqyrës Është gjithmonë e shëndetshme të dëgjosh mendime të zhveshura, “bruto” pa llustër. E lexova analizën tuaj mbi “fshatin” e kinemasë së sotme dhe më bëri të mendoj. Teksa përmendni dëshirën për të parë më shumë qytet në ekran, më erdhi ndërmend ajo thënia e famshme e Federico Fellinit: “Kinemaja është një kopsht zoologjik ku pikturohen ëndrrat.” E nëse ëndrrat tona pikturohen nga subkoshienca, kjo dashuri e pavetëdijshme e kamerës për fshatin nuk është ndonjë “faj” apo paaftësi e artistëve tanë, por thjesht dëshmi e asaj lidhjeje ende të fortë, të afërt e organike që të gjithë ne, duam apo nuk duam, e kemi ende me rrënjët tona e me fshatin. E vërteta është që Kinemaja e Re shqiptare po na zbardh fytyrën duke korrur sukses e duke marrë çmime pas çmimesh në festivale të rëndësishme ndërkombëtare ku ne konkurojmë me produksionet tona modeste, krah produksioneve titanike të kinemasë botërore, por gjithashtu është edhe nga të paktat forma të artit që i sjell vendit dhe ekonomisë sonë të ardhura konkrete. Edhe pse investimi ynë ka qenë historikisht modest, çdo projekt filmik vendas arrin të thithë e të importojë fondet e bashkëprodhimeve të huaja direkt në tregun tonë lokal. Thënë ndryshe, filmi nuk po na jep vetëm kulturë e dinjitet, por po fut edhe para të huaja në ekonominë shqiptare. Kinemaja jonë po kërkon të gjejë vetveten pasi doli nga ajo fëmijëri e stërgjatë, e rritur në kampe pionerësh, ku çdo gjë matej me gramaturë ideologjike. Dhe po, nganjëherë ky kërkim ngjan pak si ajo kinemaja e Kusturicës, Ken Loach apo e vëllezërve Dardenne: pa shkëlqim , pa makijazh , por me atë etjen e vrazhdë për të kapur të vërtetën tani që po afrohet në “lule te rinisë”. Prandaj, përtej këtij debati të mirë e miqësor mes “fshatit” dhe “qytetit”, po ju japim një lajm të mirë: ato shqetësimet tuaja të drejta nuk po i lëmë në mëshirë të fatit, por po i përgjigjemi me vepra konkrete e me shumë dashuri për ekranin e madh. Tani, si Kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, post ku shpesh më qëllon të marr akuza se pse filmi nuk financohet sa në Evropë, pse nuk bëjmë dhe ne një film për Oscar, apo pse bëjmë festival kombëtar, duhet ta pranoj me pak autoironi se nuk kam ndonjë formulë të thjeshtë që me një vendim rrit menjëherë buxhetet, shumëfishon numrin e filmave të financuar, ngre cilësinë artistike, apo të ndryshoj vetë mëndjen e krijuesve. Kam vetëm një staf të vogël dhe veten qe punojmë me përkushtim deri ne orët e vona çdo ditë për të kontribuar në magjinë e kinemasë shqiptare. Megjithatë, pa premtime të lehta, por me punë të përditshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, po punojmë me hapa konkretë e me këmbë në tokë. Po bëjmë një ligj të ri që e ndihmon shumë vizionin e Kinemasë së Re shqiptare, po rrisim buxhetet publike dhe po vëmë në punë mekanizmin e Cash Rebate-it, në mënyrë që regjisorët tanë të mos xhirojnë te fshati nga “halli i xhepit”, por të kenë liri të plotë financiare për të ndërtuar produksione urbane e me kualitet teknik modern. Po investojmë te brezi i ri: kemi dhënë tashmë dy bursat e para dhe po punojmë për të çuar të tjerë regjisorë, skenaristë e drejtorë fotografie në shkollat më të mira të botës, nga FAMU në Pragë, Centro Sperimentale di Cinematografia në Romë, La FÉMIS në Paris, e deri te akademitë më elitare në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Paralelisht, po rrisim investimet për të ri-jetësuar kinematë publike nëpër qytete të ndryshme të vendit, sepse filmi shqiptar duhet të ketë shtëpinë e vet ku të shkojë e të shihet kollaj nga publiku që e do aq shumë. Gjithashtu, “zymtësinë” e Kosovës ne nuk e shohim si pengesë, por si një nga shkollat më të fuqishme të dramës në Evropë, thellësinë e së cilës po e bëjmë bashkë me energjinë tonë për një kinema mbarëshqiptare plot jetë. Nëse sot ndoshta shohim pak më shumë nga dritarja e kasolleve, kjo bëhet thjesht sepse po pastrojmë xhamat e pluhurosur. Por puna ka filluar të pastrojë jo vetëm lenten e kamerës, por edhe syrin e mendjes tonë. Na duhet pak durim, përkushtim dhe mirëkuptim nga të gjithë. Ndaj mos i fikni shpresat e as dritat e sallës, filmi ynë më i bukur sapo ka filluar! R.Xh/ReportTv.al Festivali Kombetar i Filmit Shqiptar Filmi shqiptar kinematografia shqiptare Kinematografia ben blushi jonid jorgji Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 80.3% Magjistratëve 14.3% Nuk e di 5.4% Vota total: 827 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?