Pas përfundimit të fjalimeve të mbajtura nga përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë, protesta e sotme ka hyrë në një tjetër fazë. Turma e protestuesve është vënë në lëvizje, duke nisur marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më tej në rrugët kryesore të Tiranës. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit e ditës së 106-të të qëndresës po marshojnë në mënyrë të organizuar, ndërsa gjatë lëvizjes dëgjohen thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. “Rama jep dorëheqjen!” dhe “Ju erdhi fundi!” janë disa prej thirrjeve që shoqërojnë marshimin e protestuesve. Edison Lika ka njoftuar se do të ndalen edhe te Gjykata e Lartë, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt Bllokut të Sigurisë, ku ndodhen protestuesit e arrestuar gjatë tubimit. “Lironi çunat!” është një prej thirrjeve që po përsëritet gjatë marshimit. Protestuesit shprehen të vendosur për të vijuar aksionin qytetar dhe marshimet, duke kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
