Një zjarr ka përfshirë një anije që po ngarkohej me skrap në Portin e Shëngjinit. Siç raporton korrespondentja e Top Channel Brixhilda Deda, dyshohet se flakët kanë nisur nga një bombulë e vogël, e cila mund të ketë pasur një sasi të mbetur gazi, ndërsa shkëndijat e krijuara nga metalet gjatë procesit të punës dyshohet se kanë favorizuar përhapjen e flakëve.
Situata është neutralizuar në kohë rekord falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave zjarrfikëse të portit, shërbimeve të sigurisë, dispeçerisë dhe punonjësve të shërbimeve portuale.
Pas ndërhyrjes, zjarri është shuar plotësisht dhe nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera.
Drejtori i Portit të Shëngjinit, Andi Marku, ka konfirmuar se situata është nën kontroll dhe se nuk ka asnjë problem për vijimin e aktivitetit. Top Channel

