Përdorimi i telefonit celular nga prindërit jashtë orarit të punës mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e të folurit te fëmijët parashkollorë. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga studiues portugezë, të cilët kanë analizuar marrëdhënien mes zakoneve digjitale të familjes dhe zhvillimit gjuhësor të fëmijëve. Në studim u përfshinë 93 familje me fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç. Rezultatet treguan se shpërqendrimi i prindërve nga telefoni celular, përdorimi i tabletëve nga fëmijët gjatë natës, si dhe marrëdhëniet tepër të varura mes prindërve dhe fëmijëve, lidhen me një zhvillim më të ngadaltë të aftësive të të folurit.Lexo edhe:Studimi 30-vjeçar: Vetmia kronike rrit me 38% rrezikun për demencë Sipas studiuesve, kur prindërit janë të përqendruar te telefoni, pakësohen komunikimi ballë për ballë, loja dhe ndërveprimi me fëmijët, të cilat janë elemente të rëndësishme për zhvillimin e gjuhës. Ekspertët theksojnë se bisedat e përditshme, këngët, lojërat dhe tregimi i përrallave ndihmojnë fëmijët të mësojnë tingujt, të pasurojnë fjalorin dhe të zhvillojnë aftësitë e komunikimit. Për këtë arsye, prindërit këshillohen të kufizojnë shpërqendrimet digjitale dhe t’u kushtojnë më shumë kohë fëmijëve, duke i nxitur ata të komunikojnë, të shprehen dhe të marrin iniciativa gjatë bisedave.

