Lufta i tregoi botës se sa lehtë Irani mund ta shndërrojë Hormuzin në një armë strategjike. Ngushtica e Hormuzit/ AP Për vite me radhë, bota ka pasur frikë se Irani po zhvillonte armë bërthamore. Por pesë muaj luftë i kanë mësuar udhëheqësit iranianë se ata tashmë zotërojnë një armë tjetër, po aq të fuqishme: kontrollin faktik mbi Ngushticën e Hormuzit. Pozicioni gjeografik dhe fuqia ushtarake i kanë dhënë Teheranit mundësinë të dominojë këtë korridor strategjik, përmes të cilit kalon zakonisht rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG). Kufizimi i lëvizjes në këtë ngushticë u ka dhënë autoriteteve iraniane një mjet të fuqishëm presioni ndaj kundërshtarëve të tyre.
Megjithatë, kundërshtarët e Iranit besojnë se kjo avantazh nuk do të zgjasë përgjithmonë. Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi në maj se mbyllja e Hormuzit është "një kartë që mund ta luash vetëm një herë". Ndërkohë, vendet e Gjirit po investojnë me shpejtësi në rrugë alternative eksporti. I dërguari i Donald Trump për Irakun dhe Sirinë, Tom Barrack, madje ka parashikuar se brenda dy vitesh Hormuzi do të jetë "një çështje dytësore".
Sipas një analize të 'The Economist', e mbështetur në të dhëna dhe intervista me ekspertë, arrin në tre përfundime kryesore. Së pari, varësia nga Hormuzi ndryshon sipas mallrave dhe vendeve. Së dyti, aftësia e Iranit për të përfituar ekonomikisht nga kontrolli i ngushticës do të zbehet me kalimin e kohës, por nuk do të zhduket plotësisht. Së treti, edhe nëse të ardhurat nga tarifat bien, ndikimi strategjik i Teheranit nuk do të zvogëlohet domosdoshmërisht në të njëjtin ritëm. Madje ai mund të forcohet, nëse Irani arrin ta institucionalizojë rolin e tij si "rojtar" i hyrjes në Gjirin Persik.
Para luftës, përmes Hormuzit kalonin çdo ditë rreth 16 milionë fuçi naftë bruto. Pjesa më e madhe e kësaj sasie mund të ridrejtohet vetëm pjesërisht. Arabia Saudite ka rritur në kapacitet maksimal tubacionin lindje-perëndim drejt portit Yanbu në Detin e Kuq, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shfrytëzuar plotësisht tubacionin Habshan-Fujairah. Edhe Iraku ka rritur dërgesat përmes Turqisë. Megjithatë, edhe pas këtyre devijimeve, rreth 10 milionë fuçi në ditë mbeten ende të varura nga Hormuzi.
Pritet që deri në fund të dekadës të ndërtohen tubacione të reja në Emirate dhe Irak, të cilat mund të shmangin edhe rreth 5 milionë fuçi të tjera në ditë. Por kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e eksporteve të naftës do të vazhdojë të kalojë përmes Hormuzit. Për më tepër, këto projekte nuk janë pa rreziqe. Problemet e sigurisë në Irak, mosmarrëveshjet ndërkufitare apo sulmet e mundshme nga grupet aleate të Iranit mund të pengojnë funksionimin e tyre. Edhe rruga përmes Detit të Kuq nuk konsiderohet plotësisht e sigurt, pasi anijet mbeten të ekspozuara ndaj sulmeve të rebelëve Houthi.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se Irani ose grupet që ai mbështet mund të sulmojnë çdo infrastrukturë të re që synon të zvogëlojë rëndësinë strategjike të Hormuzit. Edhe nëse konflikti përfn me marrëveshje, vetëm ekzistenca e këtij rreziku mjafton për të rritur kostot e sigurimit dhe financimit të projekteve të reja energjetike.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar për produktet e rafinuara, si benzina dhe nafta. Vendet e Gjirit eksportojnë afro 5 milionë fuçi në ditë të këtyre produkteve dhe aktualisht nuk ekzistojnë tubacione tokësore që t'i zëvendësojnë. Arabia Saudite ka plane për zgjerimin e rrjetit ekzistues, por ato janë ende në fazat fillestare. Ndërtimi i rafinerive të reja jashtë Gjirit do të kërkonte vite dhe miliarda dollarë investime.
Edhe më problematik është eksporti i gazit natyror të lëngshëm. Katari, eksportuesi më i madh në rajon, mbështetet pothuajse tërësisht te Hormuzi. Nuk ekziston asnjë projekt konkret për tubacione alternative dhe zhvendosja e kapaciteteve të mëdha të përpunimit të LNG-së jashtë Gjirit do të ishte jashtëzakonisht e kushtueshme dhe teknikisht e vështirë.
Megjithatë, në planin afatgjatë, tregjet globale mund të përshtaten. Çmimet më të larta mund të nxisin rritjen e prodhimit të naftës në Amerikë dhe rajone të tjera, ndërsa tregu i LNG-së po zgjerohet me ritmet më të shpejta në histori. Kjo do të thotë se ndikimi i Iranit mbi çmimet globale të energjisë ka gjasa të dobësohet deri në fund të dekadës.
Por kjo nuk vlen domosdoshmërisht për fqinjët e tij në Gjirin Persik. Përveç eksporteve të energjisë, këto vende varen nga Hormuzi edhe për importet. Ato importojnë rreth 95% të drithërave që konsumojnë dhe vetëm Arabia Saudite disponon porte me kapacitete të konsiderueshme për përpunimin e ngarkesave të tilla. Transporti tokësor nuk është alternativë reale, pasi një anije e madhe transporton aq mall sa do të kërkonin rreth 2 mijë kamionë.
Ndërtimi i linjave të reja hekurudhore do të kërkonte investime shumë të mëdha dhe vite të tëra pune. Ndërkohë, porti më i madh i kontejnerëve në rajon, Jebel Ali, ndodhet brenda Gjirit, pra brenda zonës së ndikimit të Hormuzit. Portet jashtë ngushticës kanë kapacitete dukshëm më të kufizuara dhe ishin pranë kufijve maksimalë të funksionimit edhe para luftës.
Kjo do të thotë se Irani ka gjasa të vazhdojë ta përdorë Hormuzin si një armë strategjike, por edhe si burim të ardhurash. Disa vende të Gjirit mund të pranojnë pagesa të përkohshme për të garantuar kalimin e lirë të anijeve, ndërsa të tjera mbajnë një qëndrim më të ashpër. Megjithatë, edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që më parë kishin një qasje më konfrontuese ndaj Teheranit, kanë filluar të normalizojnë marrëdhëniet dhe të rifillojnë kontaktet diplomatike.
Një deputet iranian pretendoi në qershor se vendi po arkëtonte nga 1.5 deri në 2 milionë dollarë për çdo anije që kalon nëpër Hormuz, çka do të përkthehej në mbi 35 miliardë dollarë në vit. Megjithatë, ekspertët e konsiderojnë këtë shifër të ekzagjeruar. Propozimet ligjore të shqyrtuara në Iran parashikojnë tarifa më të moderuara, të llogaritura sipas llojit të ngarkesës, vlerës së saj dhe tipit të anijes, duke synuar që kostoja të mbetet më e ulët se alternativat e tjera të transportit.
Sipas vlerësimeve të specialistëve të riskut sovran, të ardhurat reale që Irani mund të sigurojë në të ardhmen nga këto tarifa mund të luhaten mes 2 dhe 3 miliardë dollarëve në vit. Me shtimin e rrugëve alternative, këto të ardhura do të bien, por jo në të njëjtën masë për të gjitha llojet e transportit. Nafta bruto do të ketë më shumë mundësi devijimi, ndërsa produktet e rafinuara, gazi i lëngshëm dhe mallrat me shumicë do të mbeten për më gjatë të varura nga Hormuzi.
Në fund, analiza arrin në përfundimin se objektivi kryesor i Iranit nuk është domosdoshmërisht maksimizimi i fitimeve financiare, por ruajtja e rolit të tij si faktor i domosdoshëm në qarkullimin e energjisë botërore. Synimi afatgjatë duket të jetë krijimi i një sistemi të qëndrueshëm kontrolli dhe administrimi të lundrimit në Hormuz, qoftë përmes marrëveshjeve rajonale, shërbimeve detare apo një regjimi të përhershëm lejesh. Lufta i tregoi botës se sa lehtë Irani mund ta shndërrojë Hormuzin në një armë strategjike. Gjithçka tregon se ndikimi i tij mbi këtë korridor jetik do të zgjasë edhe pasi konflikti të ketë përfunduar.ngushtica e hormuzit iran shba Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Putin habit spektatorët, presidenti rus luan me top futbolli në skenë (Video) 4 Gusht 2026, 08:3208:32Rajoni dhe Bota Kriza e emigrantëve në Ceuta, Spanja akuzon Marokun: Nuk ishte rastësi, sulm territorial ndaj nesh 4 Gusht 2026, 07:5007:50Rajoni dhe Bota Vrasja e 23-vjeçares influencer gjatë transmetimit live në TikTok, arrestohet bosi i drogës 4 Gusht 2026, 07:2507:25Rajoni dhe Bota Ndryshime në diplomacinë ukrainase, shkarkohet ambasadorja në SHBA 3 Gusht 2026, 22:5822:58Rajoni dhe Bota Trump ultimatum udhëheqjes së Iranit: Shansi i fundit për një marrëveshje, para se t'iu pres kokat 3 Gusht 2026, 22:0022:00Rajoni dhe Bota Skandal me pastrimin e parave, SHBA gjobit UBS-në zvicerane; klientë të lidhur me Rusinë dhe Amerikën Latine 3 Gusht 2026, 19:3119:31Rajoni dhe Bota

