Policia e Sarandës ka finalizuar operacionin e koduar “Silenciatori”, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, janë arrestuar 5 persona dhe janë sekuestruar armë zjarri e municion.
Sipas policisë, dy prej të arrestuarve u kapën në flagrancë në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, teksa kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe qëndronin në pritë në një zonë pa ndriçim.
Në pranga ranë shtetasit S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë dhe A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë. Gjatë kontrollit, atyre iu gjetën dhe iu sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, municion luftarak dhe një silenciator. Në vijim të operacionit u arrestuan edhe tre persona të tjerë: V. H., 20 vjeç, banues në Kavajë; V. P., 31 vjeç, banues në Tiranë; dhe F. B., 21 vjeç, banues në Kavajë. Ata akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se grupi kishte udhëtuar drejt Sarandës me qëllim kryerjen e një vrasjeje.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e objektivit të dyshuar dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet
