Një qytetar nga Vlora, Sinan Rrapaj, i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar një problem që, sipas tij, vijon prej vitit 2021. Rrapaj pretendon se bashkëshortja e tij, Asprie Hasani Rrapaj, ka fituar të drejtën e pensionit pas një procesi gjyqësor disa vite, me vendimin e Gjykatës së Apelit të dhënë në mars 2026. Sipas vendimit, pensioni duhet t’i njihet asaj që prej 1 prillit 2021.
Por, pavarësisht vendimit gjyqësor, familja pretendon se bashkëshortja nuk ka përfituar pagesat që i takojnë. Sinani thotë se emri i saj figuron në listat e sigurimeve shoqërore dhe se dosja është kaluar për pagesë, por deri më tani nuk është marrë asnjë shumë. Sipas tij, situata është edhe më shqetësuese pasi bashkëshortja vuan nga Parkinsoni dhe familja jeton prej vitesh në Greqi.
Rrapaj kërkon ndërhyrje për zbardhjen e situatës dhe pyet se përse pensioni nuk është paguar, pavarësisht vendimit të gjykatës. Ai thotë se ka kërkuar ndihmë edhe nga avokatja që ka ndjekur çështjen, ndërsa denoncon me shpresën se rasti do të verifikohet pranë institucioneve përgjegjëse dhe se familjes do t’i jepet një përgjigje për pagesat e prapambetura.

