Soni Malaj ka zgjedhur “Grida Duma Podcast” për një rrëfim personal, ku përtej karrierës së gjatë në muzikë flet për dashurinë, familjen, divorcin, sakrificat dhe pengjet që kanë mbetur pas. Këngëtarja, një prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, ka ndarë me Grida Dumën histori dhe mendime që shkojnë përtej skenës dhe suksesit profesional.
Një prej momenteve më personale të bisedës lidhet me familjen dhe dëshirën për të pasur një familje më të madhe.
“Kam ëndërruar për një familje më të madhe. Do doja të kisha edhe dy fëmijë të tjerë”, është një prej rrëfimeve të Sonit në këtë bisedë, ku ajo flet hapur për atë që ka dashur në jetën e saj personale dhe për gjërat që nuk kanë ndodhur gjithmonë sipas ëndrrave.
Por karriera ka pasur edhe çmimin e saj.
Soni tregon se jeta e një artisteje, angazhimet dhe ritmi i skenës kanë ndikuar edhe në zgjedhjet e saj personale.
“S’kam dashur t’i marr fytyrën familjes sime”, shprehet ajo, duke folur për mënyrën se si ka tentuar të ruajë ekuilibrin mes jetës publike dhe asaj private. Në bisedën me Grida Dumën, Soni Malaj rikthehet edhe te dashuria dhe divorci, por pa u ndalur vetëm te ajo që është parë në publik. Ajo flet për emocionet, zgjedhjet dhe atë që mbetet pas një historie personale.
Një tjetër pjesë e rrëfimit lidhet me karrierën muzikore dhe kufizimet që ajo mund t’i ketë sjellë jetës së saj.
Pavarësisht suksesit, skenës dhe viteve në muzikë, Soni pranon se ka edhe gjëra për të cilat sot mund të ketë një tjetër këndvështrim.
“Ka gjëra që i kam lënë pas dhe që sot i shoh ndryshe”, është një prej momenteve të reflektimit në bisedën me Grida Dumën. Top Channel

