Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) braktisën sallën plenare. Shkak për këtë vendim u bë fakt se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk mbështeti kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares së Kuvendit. Gjatë procesit të votimit, deputeti Ardian Gola u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga radhët e LVV-së. Pas kësaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kërkoi nga PDK-ja që të paraqiste sërish një propozim për nënkryetar. Në atë moment, përveç deputetit Mërgim Lushtaku, të gjithë deputetët e tjerë të PDK-së u larguan nga salla plenare. Pas daljes nga salla, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi për mediat se subjekti i tij politik nuk do të vazhdojë më pjesëmarrjen në këtë seancë dhe do t’i drejtohet organit më të lartë kushtetues. “Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështetën kandidaten tonë,” deklaroi Hamza. Seanca e Kuvendit të Kosovës pritet të vijojë në orën 14:00. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

