Lajme Zone
PD zhvillon takim me të Dërguarin Special të Trump/ Zbardhen detaje nga bisedimet
PolitikëCNA

PD zhvillon takim me të Dërguarin Special të Trump/ Zbardhen detaje nga bisedimet

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Nok...

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, kanë zhvilluar sot një takim me Paulo Zampolli, të Dërguarin Special të Presidentit të SHBA-së për Partneritetet Globale.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike përcollën qëndrimin për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shprehën mbështetjen e saj për administratën e Presidentit Donald Trump.

Në takim u diskutua gjerësisht mbi situatën politike, institucionale dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe mbi sfidat që, sipas opozitës, po cenojnë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe funksionimin normal të institucioneve.

Përfaqësuesit e PD-së theksuan se krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë krijuar një klimë të pafavorshme për investimet e huaja dhe kanë dëmtuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë në vend. Në këtë kuadër, ata nënvizuan nevojën për një Shqipëri ku sundimi i ligjit, konkurrenca e ndershme dhe siguria juridike të jenë garanci për çdo investitor dhe qytetar.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike argumentuan se qeverisja e Edi Ramës ka krijuar një sistem ku kufijtë mes pushteteve janë dobësuar dhe ku drejtësia pengohet të bëjë punën e saj në mënyrë të pavarur.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu ajo që përfaqësuesit e Partisë Demokratike e cilësuan si “axhenda Soros” në Shqipëri. Sipas tyre, kjo axhendë ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit dhe ka cenuar parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një demokraci e konsoliduar dhe një shtet ligjor funksional.

Në këtë kontekst, përfaqësuesit e PD-së ngritën shqetësimin për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri, duke theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme mbeten një prej kushteve themelore për rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet.

Ata denoncuan përdorimin e parave të paligjshme, keqpërdorimin e administratës publike për qëllime elektorale dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar si faktorë që, sipas tyre, deformojnë vullnetin e qytetarëve.

Sipas deklaratës së PD-së, Paulo Zampolli shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë me opozitën shqiptare dhe për të ndihmuar që Shqipëria të ecë përpara në proceset e veta demokratike.

PD ritheksoi në takim se do të vijojë të jetë në krah të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe interesit kombëtar, si dhe në funksion të forcimit të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë historikë. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.