Konferenca e Kryetarëve në Kuvend pritet të mblidhet nesër, në orën 08:30, për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat në Parlament mbi progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026 që u publikua në fillim të nëntorit. Kërkesa është dorëzuar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Demokratët kërkojnë që gjetjet e raportit të diskutohen në seancë plenare, sepse sipas tyre raporti nxjerr në pah probleme me mënyrën si mazhoranca e Ramës ushtron pushtetin. Në dokumentin e dorëzuar më 16 nëntor, PD citon kërkon të diskutohen refuzimi i kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore, votimi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut si dhe vonesat në shqyrtimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. LEXO EDHE:Buxheti e paketa fiskale të enjten në Kuvend, Sali Berisha: Do të paraqesim amendamentet tona për rritjen e pagave dhe vendosjen e minimumit jetik 200 euro (VIDEO) PD ndalet edhe te reforma zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duke kërkuar që Parlamenti të trajtojë problematikat e evidentuara në raportin e Komisionit Europian. “Pa llogaridhënie reale dhe pa respektimin e balancës ndërmjet pushteteve, rrugëtimi drejt BE-së mbetet i brishtë”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar demokrat. Kjo nismë vjen pas qëndrimeve të kundërta të mazhorancës dhe opozitës për progresraportin. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar atë si raportin më të mirë në histori, ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha, ka evidentuar në kundërshtitë e tij problemet me drejtësinë, zgjedhjet dhe kontrollin e pushtetit ekzekutiv. Shkresa e plotë e PD "“Komisioni Evropian ka njoftuar zyrtarisht Raportin SËD(2026) 690, datë 4.11.2026, për ecurinë e Shqipërisë në rrugën evropiane për vitin 2026. Për ne, si opozitë parlamentare, ky Raport përbën një plan të mirëfilltë pune që duhet të zbatohet. Për ne procesi i integrimit evropian konsiderohet një proces nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët shqiptarë dhe që përfaqëson një moment historik për demokratizimin e vendit. Në mënyrë të përmbledhur, Raporti, lidhur me veprimtarinë e Parlamentit, konstaton se: “Funksionimi i institucioneve demokratike në Shqipëri është pjesërisht i vënë në pikëpyetje, ndër të tjera, për shkak të një mjedisi politik thellësisht të polarizuar, kontrollit të kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin, nevojës urgjente për reformë zgjedhore, dështimit të vazhdueshëm të Parlamentit për të zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe mungesës së konsultimeve publike kuptimplota. Kontrolli i Parlamentit mbi ekzekutivin mbeti i dobët. Nuk pati debat kuptimplotë për programin e ri qeveritar në shtator 2025. Paraqitjet e ministrave në seancat e pyetjeve ishin të parregullta. Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore u refuzuan sistematikisht, pa debat. Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeteje. Kjo ngre shqetësime për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për barazinë para ligjit. Shumica vazhdoi të kundërshtojë dhe të vonojë zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Projektligjet e paraqitura shpesh në çastin e fundit nga deputetët e shumicës dëmtojnë cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ, duke anashkaluar shpesh konsultimin publik. Politizimi i emërimeve (Avokati i Popullit dhe Komisioneri) mbetet një çështje serioze. Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës, duke cenuar traditën e konsensusit ndërmjet partive. Komisioni (për Integrimin Evropian) nuk drejtohet më nga opozita, gjë që kufizon dialogun ndërmjet partive dhe rolin e saj në procesin e anëtarësimit. Komisioni i përbashkët parlamentar për Reformën Administrative dhe Territoriale e përfi mandatin në korrik 2026, pa arritur konsensus ndërmjet dy palëve për reformën e hedhur në konsultim publik. Reforma u miratua në tetor 2026, mbi bazën e propozimit të shumicës. Reforma territoriale dhe administrative në vijim, e shoqëruar me një prirje drejt ricentralizimit, krijoi pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve konfirmoi gjetjet paraprake. Sipas tij, zgjedhjet e përgjithshme të majit 2025 ishin konkurruese dhe u administruan në mënyrë profesionale, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe pa kushte të barabarta për garuesit. Raporti konstatoi gjithashtu se kuadri ligjor ofron një bazë të përshtatshme për zgjedhje demokratike, por disa mangësi dhe paqartësi cenojnë qartësinë ligjore dhe krijojnë pasiguri në zbatimin e tij. Raporti jep rekomandime për adresimin e këtyre mangësive. Kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm. Megjithatë, disa rekomandime të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias mbeten ende të paadresuara. Nevojitet urgjentisht një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Një komision parlamentar, i ngarkuar me hartimin e reformës zgjedhore, zhvilloi mbledhjen e parë të punës në shkurt 2026. Ky komision garanton përfaqësim të barabartë të partisë në pushtet dhe të partisë kryesore opozitare, por nuk përfshin asnjë nga partitë e tjera opozitare, gjë që është për t’u ardhur keq. Komisioni pritet të hartojë një ligj për financimin e partive politike, pas konsultimeve me palët e interesuara dhe me Komisionin e Venecias. Shqipëria duhet të sigurojë përputhshmërinë me të gjithë legjislacionin përkatës të BE-së në këtë fushë, përfshirë Rregulloren (BE) 2024/900 për transparencën dhe shënjestrimin e reklamave politike, duke marrë parasysh standardet demokratike evropiane dhe ndërkombëtare.” Nga analiza e gjetjeve të mësipërme, kuptojmë qartësisht se mesazhi i Komisionit Evropian është i qartë: pa llogaridhënie reale dhe pa respektimin e balancës ndërmjet pushteteve, rrugëtimi drejt BE-së mbetet i brishtë. Ndaj nga sa parashtrohet në mënyrë të përmbledhur më lart, vlerësojmë se është detyra jonë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që të shqyrtojmë me përparësi këto problematika dhe të ndërmarrim masa të menjëhershme. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikat e konstatuara nga raporti vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë”, thuhet në shkresën e plotë. Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë U.D / A.E P.J Shqiptarja.com TAG: progres raporti per shqiperine gazment bardhi PD Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
21 Nëntor, 17:11
Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 71.1% Protesta 22.8% Asnjëra 6.1% Vota total: 2320 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 21 Nëntor, 17:11 Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?

