Gjykata e Elbasanit ka rrëzuar kërkesën e producentit Petri Bozo për zbutjen e masës së sigurisë nga "arrest në shtëpi" në "detyrim paraqitje". Gjyqtarja Suela Lika vlerësoi se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat ligjore për ndryshimin e masës, duke vendosur që ai të qëndrojë në arrest shtëpiak.
Sipas medias, Bozo i kishte paraqitur gjykatës disa ftesa zyrtare, me arsyetimin se duhej të ishte i pranishëm në eventin e bukurisë "Miss Globe" në Tajlandë, nga data 24 tetor deri më 6 nëntor.
Kujtojmë se producenti është nën hetim për aksidentin tragjik të ndodhur pak muaj më parë në aksin nacional Elbasan-Librazhd, pranë fshatit Mengël, ku humbi jetën 7-vjeçari Algit Samurri, nxënës i klasës së parë. Aksidenti ndodhi ndërsa vogëlushi po shoqërohej nga e ëma për në shkollë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, fëmija u shkëput për një moment nga e ëma dhe u përplas nga automjeti që drejtohej nga Bozo.
Në një intervistë të dhënë më parë, Petri Bozo kishte deklaruar publikisht se i pëlqente të ngiste makinën me shpejtësi dhe se kishte pësuar rreth 20 aksidente gjatë jetës së tij, duke pretenduar se në asnjërin prej tyre nuk kishte qenë fajtor.

