Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë vijuar reagimet e shumta nga figura publike në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.
Një prej reagimeve që ka tërhequr vëmendje është ai i ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka rishpërndarë në InstaStory një fotografi të këngëtares shqiptare Bleona Qereti.
Në fotografinë e publikuar nga Qereti, artistja shfaqet e veshur me një bluzë me mbishkrimin “I love Hashim Thaçi”, duke shprehur mbështetjen e saj për ish-presidentin e Kosovës.
Fotografia e Bleonës është rishpërndarë nga Grenell në llogarinë e tij në Instagram, në një kohë kur vendimi i Gjykatës Speciale ka nxitur reagime të shumta publike.
Qereti, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shprehur vazhdimisht në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit të tyre në Hagë. Edhe pas aktgjykimit, ajo ka vazhduar të publikojë mesazhe në mbështetje të Hashim Thaçit dhe Kosovës.
Në aktgjykimin e shpallur në Hagë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.

