Flota e autobusëve urbanë pritet t’i rikthehet normalitetit duke nisur nga sot, pas një takimi mes Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban dhe përfaqësuesve të qeverisë. Në takim morën pjesë ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, dhe ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Sipas përfaqësuesve të transportit, palët kanë arritur një dakordësi për subvencionimin e transportit publik me 50 lekë për litër karburant. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar periudha gjatë së cilës do të aplikohet subvencionimi. Bisedimet vijojnë për të vendosur nëse masa do të mbulojë muajt qershor, korrik dhe gusht, apo periudhën korrik, gusht dhe shtator. Pas këtij zhvillimi, operatorët e transportit urban pritet të rikthejnë shërbimin në kapacitet të plotë, duke i dhënë fund problematikave të ditëve të fundit me funksionimin e flotës.
