Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga zona e Freskut në Tiranë, ku ngrihen akuza serioze ndaj një mjekeje të identifikuar si S.D, e cila, sipas denoncuesit, punon në QSUT.
Sipas dëshmisë së qytetarit, gjithçka ka nisur pas një debati mes mjekes dhe komshies që banon në katin sipër saj, për shkak të zhurmave. Vetëm rreth 10 minuta pas debatit, S.D është filmuar duke përdorur një shiringë për të spërkatur me një solucion të dyshuar si helmues çarçafin e varur nga fqinja në katin e sipërm.
Denoncuesi thotë se për ngjarjen është bërë edhe kallëzim në polici, ndërsa ende nuk është marrë asnjë masë. Si pasojë banorët e zonës vazhdojnë të mbeten të pasigurt për çfarë po ndodh në lagjen e tyre.
Akuzat bëhen edhe më të rënda nga pretendimi se bëhet fjalë për një konflikt të përsëritur mes S.D dhe banorëve të pallatit Gjoka, pranë zonës së Thesarit, ku sipas denoncuesit, nënë e bijë, S.D dhe F.D, janë kthyer prej kohësh në shqetësim për banorët.
JOQ nuk mund të përcaktojë përmes videos se çfarë substance ndodhet në shiringë dhe nëse ajo është apo jo helmuese. Kjo është çështje që kërkon verifikim dhe ekspertizë nga autoritetet. Por nëse pamjet dhe kallëzimi konfirmojnë atë që pretendohet nga denoncuesi, bëhet fjalë për një situatë jashtëzakonisht serioze, sidomos kur akuzat lidhen me persona që ushtrojnë profesionin e mjekut në një institucion shëndetësor publik.

