Reperi i njohur Capital T ka reaguar përmes një videomesazhi, duke shprehur mbështetjen e tij për protestat studentore në Shqipëri. Reagimi i artistit vjen pak ditë pasi ai pati një bisedë telefonike me një efektiv policie nga Shqipëria, i cili i kërkoi të paraqitej pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara. Capital T thekson se pamjet e dhunës dhe situata e krijuar nuk mund të kalohen në heshtje, duke nënvizuar se mirëqenia e popullit të tij është mbi çdo angazhim profesional. Artisti shprehet se është thellësisht i prekur nga zhvillimet dhe se nuk mund të vazhdojë aktivitetin e tij muzikor sikur të mos kishte ndodhur asgjë. “Qysh po mendojnë që me i pa ato skena të ndodhura dhe të mos reagoj. Normal që kam me reagu dhe absolutisht jam në suport të studentëve dhe njerëzve të mi për çdo kauzë që ka të bëjë me të drejtat e tyre. Na dhemb zemra ta shikojmë Shqipërinë në këtë lloj gjendje dhe njerëzit e mi që mua më kanë përkrahur e ma kanë dhënë këtë dashuri.
Nuk kam kurrfarë llogarie të bërë kur vjen puna për këta njerëz, nuk ekziston asgjë më e madhe sesa mirëqenia e popullit tim. S’mund as me bo muzikë, as me publiku këngë, as me bo koncerte derisa unë shoh ato skena dhe normal që do reagoj. Nuk ka kurrgjë që mundet me më nda”, shprehet Capital T.
Në mesazhin e tij, këngëtari shpreh gjithashtu shpresën që kërkesat e studentëve të dëgjohen dhe që dhuna të marrë fund. Ai thekson se mbështetja e tij nuk lidhet me kërkimin e vëmendjes publike apo me pritjen e falënderimeve, por me bindjen se duhet reaguar përballë padrejtësive.
“Uroj që zëri i studentëve do të dëgjohet, uroj që të ndërpritet kjo dhunë e shkatërrim dhe dijeni që mua më keni përkrah. Unë e kam treguar në shumë etapa dhe nuk dua falënderim dhe as protagonizëm. Unë jam thjesht një prej jush dhe për këto gjëra do të jem aty, për çdo padrejtësi”, përfn reperi. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: capital t

