Kryeministri Edi Rama ka lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Demokratike, duke e cilësuar si iniciatore të dhunës së ushtruar pranë Ministrisë së Arsimit gjatë protestave studentore. Në një deklaratë publike, kreu i qeverisë e ka quajtur PD-në “glasa mbi tortë”, ndërsa ka pretenduar se personat e përfshirë në përplasjet me policinë janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Rama deklaroi se Partia Demokratike ka marrë autorësinë e nisjes së dhunës pranë Ministrisë së Arsimit, duke paralajmëruar publikimin e pamjeve që, sipas tij, do të tronditin opinionin publik. Kryeministri pretendoi se personat e shfaqur në këto pamje nuk janë studentë, por individë që nuk kanë lidhje me protestën paqësore të të rinjve. Ai tha se identiteti i tyre është mbuluar në respekt të ligjit, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për persona të ndaluar nga policia, duke u bërë gjyq publik. Në vijim të akuzave, Rama pretendoi se individët e përfshirë në dhunë janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja, me synimin për të përmbysur rendin në vend. Megjithatë, në deklaratën e cituar nuk përmenden emra konkretë apo prova që mbështesin këto pretendime. “Forca e ardhur nga jashtë, qershia mbi tortë, ose më saktë glasa mbi tortë, është PD. Dje PD mori autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit. Do të ndaj me ju pamje që do të trondisin më shumë se ju shumëkënd. Për arsye se është ruajtur identiteti i personave në respekt të ligjit. Të gjithë personat që do të shihni janë subjekt dhe objekt i sulmeve. Janë persona të ndaluar nga policia. Nuk janë studentë, janë diçka tjetër. Nuk i përkasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me ata studentë që nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban, por që qëndrojnë në atë protestë paqësore, të lidhur me jetën e tyre të përditshme. Duan të më imponojnë mua që të shkel kontratën me shqiptarët. Çdo koment është i tepërt nga ana ime.
Mjaftojnë çehret, pavarësisht fshehjes së identitetit, që mund të jenë pjesë e një përfaqësie të një bote të zymtë, karrierat e këtyre individëve, që janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Duan ta kthejnë përmbys edhe një herë rendin. Këta nuk janë studentët. Tani është koha që fjalia të mbështetet nga faktet dhe dokumentet”, deklaroi Rama. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: rama
