Ministri i Brendshëm, Ervin Demo i shoqëruar nga drejtori i policisë së shtetit Skënder Hita ka zhvilluar këtë të martë një takim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, ku është pritur nga strukturat vendore të rendit. Takimi zhvillohet në një periudhë kur situata kriminale në qarkun e Shkodrës, veçanërisht problematikat që lidhen me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, vijon të jetë në vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese.
Bilanci i muajve të fundit e ka rikthyer vëmendjen te siguria në qark. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, Shkodra nuk regjistroi ngjarje me pasojë vrasjen.
Por situata ndryshoi pas 9 korrikut, kur në qark janë shënuar pesë vrasje. Mes tyre janë edhe dy ngjarje të rënda në zonën e Dukagjinit, të cilat vijojnë të mbeten të pazbardhura.
Më 11 korrik, Aleksandër Koçeku u qëllua për vdekje në një pritë, ndërsa më 23 gusht, në zonën e Dukagjinit, u ekzekutuan me armë zjarri Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, ndaj të cilëve u qëllua me më shumë se 90 plumba.
Hetimet për këto dy ngjarje vijojnë, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar dhe arrestuar. Top Channel

