Lajme Zone
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrat zbardhin vendimet: 110 mln euro me Gjermaninë, 7 mijë apartamente dhe fond për energjinë
PolitikëTop Channel

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrat zbardhin vendimet: 110 mln euro me Gjermaninë, 7 mijë apartamente dhe fond për energjinë

Pas mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë paradite, ministrat kanë bërë publike disa prej vendimeve dhe politikave që pritet të zbatohen në periudhën në vijim. Në fokus kanë qenë marrëveshjet e reja me Gjermaninë për investime në energji dhe infrastrukturë, reforma e strehimit, mbështetja për qytetarët përballë rritjes së kostove, si dhe çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe drejtësinë.

Pas mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë paradite, ministrat kanë bërë publike disa prej vendimeve dhe politikave që pritet të zbatohen në periudhën në vijim. Në fokus kanë qenë marrëveshjet e reja me Gjermaninë për investime në energji dhe infrastrukturë, reforma e strehimit, mbështetja për qytetarët përballë rritjes së kostove, si dhe çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe drejtësinë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi miratimin e tre marrëveshjeve me qeverinë gjermane, me një vlerë totale prej 110 milionë eurosh, ku 20 milionë euro janë në formën e grantit. Fondet do të përdoren për rehabilitimin e konvikteve studentore, ndërhyrje në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe digjitalizimin e sistemit të operatorit të transmetimit. Karakaçi foli gjithashtu për politikat e reja në sektorin energjetik dhe krijimin e një fondi për eficencën e energjisë.

“Kemi miratuar sot tre marrëveshje me qeverinë gjermane, 110 mln euro, 20 mln euro grant për tri projekte. 1. Vazhdimi i rehabilitimit të konvikteve të studentëve. 2. Bëhet fjalë për rehabilitimin e termocentralin e Vaut të Dejës. Si dhe programi 3 që përfiton është digjitalizimi i sistemit të operatorit të transmetimit. Ne kemi disa politika që po përpiqemi të zhvillojmë. Ke përfunduar dy programet e licencave për panele diellore me ujë të ngrohtë. Po bëjmë ndryshimin e ligjit të eficencës së energjisë, aty parashikohet edhe krijimi i një fondi të eficencës së energjisë. Do të ketë një fond që do t’u japë mbështetje qytetarëve dhe bizneseve”, tha Karakacci. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u ndal te reforma e strehimit, duke bërë të ditur se qeveria synon të zgjerojë skemat e mbështetjes përtej kategorive në nevojë. Sipas saj, programi i ri parashikon vënien në dispozicion të 7 mijë apartamenteve, kredi të buta dhe kredi me zero interes, ndërsa për apartamentet me sipërfaqe më të mëdha parashikohet një normë interesi fikse prej 3%. Ibrahimaj tha gjithashtu se do të ketë subvencionim qiraje për 3 mijë apartamente, të destinuara për profesionistët e rinj.

“Është një reformë e cila u njoftua dje, në fakt, por ndërkohë, nga ana ligjore, është akoma duke u hartuar dhe diskutuam për nevojën që tashmë në vend ka për një reformë në strehim, i cili nuk duhet më t’u dedikohet vetëm shtresave në nevojë. Kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë një vëmendje për shtresat në nevojë. Do të vazhdojmë të kemi vëmendje, siç kemi pasur gjatë gjithë viteve të kaluara, ku dua të theksoj se, që nga viti 2018, kur u miratua ligji për strehimin, ne kemi pasur rreth 31 mijë mbështetje për familje të cilat janë në nevojë, të dizavantazhuara, kategori të cilat konsiderohen të varfra dhe kanë qenë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.

Ne kemi pasur disa ndërhyrje ndër vite, ku mund të rendis ndërhyrjet që kemi bërë për subvencionimin e qirave, të cilat kanë qenë 14,512. Kemi dhënë 7,290 kredi të buta nëpërmjet strukturave të bashkive dhe të pushtetit vendor. Kemi përmirësuar kushtet e banesave për 6,078 banesa dhe, ndërkohë, kemi përmirësuar infrastrukturën për 1,375 zona të banuara. Dua të ndalem te ato që kemi bërë, në fakt, vetëm konkretisht këtë vit. Ne, vetëm para disa javësh, shpallëm 300 kredi të buta për punonjësit e administratës publike, ndërkohë që dje shpallëm programin e përmirësimit të kushteve të banesave, i cili do t’u dedikohet 678 familjeve në 26 bashki.

Ky program ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka qenë një program i cili është kërkuar vazhdimisht nga bashkitë, pasi praktikisht Qeveria dhe bashkitë bashkëfinancojnë programe të përmirësimit të kushteve të banesave për ato kategori familjesh të cilat nuk e kanë mundësinë financiare për të përmirësuar kushtet e tyre. Ndërkohë që dje, sigurisht, përveç atyre që kemi bërë deri më sot, bëmë të ditur reformën e re, e cila do t’u dedikohet jo vetëm shtresave në nevojë, siç thashë dhe paraqita, por do t’u dedikohet edhe të gjithë atyre që janë profesionistë, që janë të rinj, që janë familje të reja.

Do të jenë 7,000 apartamente të cilat do të vihen në dispozicion në bazë të paketës së re ligjore që ne jemi duke përmbyllur, ku konkretisht do të jenë 4,000 kredi të buta, ku 2,000 do të jenë kredi me zero interes për apartamente të cilat janë deri në 60,000 euro vlerë, ku do t’u jepen profesionistëve të rinj dhe çifteve të reja. Ndërkohë që, për apartamente të cilat janë më të mëdha, duke qenë se vlera 60,000 euro limiton sipërfaqen e apartamenteve, ne duam të bëjmë një politikë të re për të gjitha familjet e reja me një apo më shumë fëmijë, në të cilën do të vihen në dispozicion 3,000 apartamente me një kredi të butë, me një normë interesi 3% fikse.

Të gjitha normat e interesit, edhe për kredinë me zero interes, edhe për kredinë me 3% interes, që sigurisht janë shumë favorizuese, por diferencat e normave të interesit do të mbulohen nga një fond i cili do të krijohet, do të quhet Fondi Kombëtar i Strehimit, i cili do të përmbledhë 3%-in që mblidhet nga bashkitë, i cili paguhet nga zhvilluesit dhe ndërtuesit; do të përmbledhë buxhetin e shtetit për sa i përket strehimit, por do të përmbledhë gjithashtu edhe mekanizma të tjerë të kredive të cilat vihen në dispozicion nga institucione financiare ndërkombëtare, por më konkretisht BEI-ja dhe Banka Europiane për Investime. Banka Europiane për Investime ka një program specifik për strehimin, i cili është shumë favorizues dhe do të futet brenda Fondit Kombëtar të Strehimit.

Në vijim, ne planifikojmë që do të vëmë në dispozicion gjithashtu subvencionim qiraje për 3,000 apartamente, të cilat do t’u dedikohen gjithashtu jo vetëm shtresave në nevojë, siç ka qenë më përpara, por do t’u dedikohen gjithashtu familjeve të reja dhe profesionistëve, të cilët sapo kanë mbaruar shkollën apo çifteve të reja, të cilët sapo kanë mbaruar shkollën, të cilët vendosin të jetojnë në një qytet apo vendosin që, pasi kanë mbaruar shkollën në kryeqytet, të kthehen në vendbanimin e tyre. Dhe ne do t’i mbështesim këto familje të reja me qëllim që t’u garantojmë një fillim të jetesës më të sigurt, pasi ne mendojmë që në Shqipëri, në fakt, strehimi është një çështje kryesore për qytetarët dhe shifrat e tregojnë qartë këtë.

Kemi më shumë se 80% të qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në banesa në pronësinë e tyre dhe kjo do të thotë që një nga aspektet kryesore të sigurisë së jetesës lidhet me strehimin. Kjo është dhe arsyeja pse ne kemi vendosur të bëjmë këtë reformë të madhe, e cila nuk do të jetë vetëm një reformë në produktet dhe instrumentet që ne do të përdorim, por do të jetë një reformë tërësore edhe nga ana e mekanizmit të qeverisjes së këtij instrumenti, ku padiskutim, përveç produkteve që unë sapo përmenda, do të fillojmë ndërtimin e disa blloqeve ndërtesash, të cilat do të kenë një përdorim. Ne e quajmë 30-40-30, ku 30% e ndërtesave do t’u dedikohen banesave sociale dhe shtresave në nevojë apo të dizavantazhuara. 40% e banesave do t’i dedikohen strehimit të përballueshëm, pra strehimit për atë kategori familjesh apo individësh që nuk konsiderohen të varfër, konsiderohen shtresë e mesme, por që gjithashtu nuk arrijnë dot të përballojnë vlerën e një banese në vitet e tyre të para të jetesës bashkë, të krijimit të familjes apo të punës. Dhe 30% do t’i dedikohet shitjes në tregun e lirë.

Kjo është një politikë e cila, në fakt, është studiuar nga ana jonë duke marrë në analizë të gjithë vendet e Europës, por edhe të rajonit e më gjerë. Është një politikë e cila ndikon në banesat në përgjithësi dhe në urbanizimin në përgjithësi të qyteteve dhe nuk lejon që të krijohen blloqe pallatesh ku ka vetëm një kategori shtrese, të cilat mund të kthehen në problematike në të ardhmen”, u shpreh Ibrahimaj. Top Channel