Bashkimi Evropian ka kundërshtuar sot vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të mos lejuar rikthimin e gjyqtarëve serbë që u dorëhoqën në vitin 2022, në sistemin gjyqësor, duke e cilësuar atë si të papajtueshëm me ligjin, procesin e rregullt dhe parimet e sundimit të ligjit. Bëhet fjalë për gjyqtarët serbë dhe stafin mbështetës që kishin dhënë dorëheqjen në fund të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës. Më 15 korrik 2026, ata kërkuan të tërhiqnin dorëheqjet dhe të riktheheshin në detyrat e tyre. BE-ja e kishte mirëpritur atëherë vendimin për tërheqjen e dorëheqjeve dhe kishte kërkuar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë. LEXO edhe...'Nëse dëshiron, mund ta bëj më institucional'/ Presidenca e Kosovës bën komunikatën zyrtare me Chatgpt, harron në tekst përgjigjen e inteligjencës artificiale Por dje, Këshilli Gjyqësor i Kosovës votoi kundër kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve, me 9 vota pro, një kundër dhe një abstenim. Kështu, gjyqtarët serbë nuk do të rikthehen në sistemin gjyqësor, ndërsa emrat e tyre do t’i dërgohen ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra. Gjatë mbledhjes, anëtari i KGJK-së, Artan Abazi, kundërshtoi rikthimin e tyre, duke argumentuar se pas rreth katër vitesh jashtë sistemit ata kanë humbur aftësitë profesionale. Ai tha gjithashtu se disa prej tyre janë përfshirë në aktivitete politike dhe e cilësoi rikthimin e tyre si “qesharak dhe të rrezikshëm”. Në anën tjetër, anëtarja serbe e KGJK-së votoi në mbështetje të rikthimit të gjyqtarëve. Kundër u shpreh edhe anëtari Bashkim Hyseni, i cili e cilësoi rikthimin një precedent të rrezikshëm. Pas vendimit, BE-ja ka shprehur keqardhje të thellë, duke theksuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të pasqyrojë karakterin multietnik të vendit dhe se këto vendime dëmtojnë besimin e komunitetit serb dhe minojnë përpjekjet për rikthimin e qëndrueshëm të tij në institucionet e Kosovës. BE-ja shpreh keqardhje të thellë për vendimin e djeshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të pranuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të Kosovës, të cilat tashmë ishin tërhequr. Ky vendim pason vendime të ngjashme të marra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit në korrik, lidhur me dorëheqjet e prokurorëve serbë të Kosovës. Këto vendime duken të papajtueshme me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt dhe kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë. Ato gjithashtu bien ndesh me parimet e një sistemi gjyqësor multietnik, duke dëmtuar besimin e komunitetit serb të Kosovës dhe duke minuar përpjekjet për një rikthim të qëndrueshëm të tij në institucionet e Kosovës. BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve relevantë që të krijojnë kushtet për një sistem gjyqësor multietnik, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt dhe zotimet e marra në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja" thuhet në reagimin e BE-së. Brukseli u ka bërë thirrje institucioneve dhe aktorëve relevantë që të krijojnë kushtet për një sistem gjyqësor multietnik, në përputhje me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt dhe zotimet e marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. U.D/ReportTv.al kosove Bashkimi Europian Keshilli Gjyqësor i Kosovës gjyqtarët Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 51.8% Keq 35.3% Nuk e di 12.8% Vota total: 4699 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?

