Lajme Zone
Pas dorëheqjes së Kupit, emërohet drejtoresha e re e përgjithshme e burgjeve, këshilltarja e kreut të BKH-së
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 11 burime — Krahaso mbulimin →

Pas dorëheqjes së Kupit, emërohet drejtoresha e re e përgjithshme e burgjeve, këshilltarja e kreut të BKH-së

Sadleva Bodo është emëruar në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit.

Sadleva Bodo është emëruar në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit. Lajmi konfirmohet nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha. Më herët, ajo ka qenë këshilltare e ish-drejtoreshës së BKH-së, Aida Hajnaj, si dhe këshilltare e kreut aktual të BKH-së, Joni Keta.

Largimin nga posti Kupi e njoftoi përmes llogarisë së Facebook-ut, ndërkohë përmes rrjeteve sociale ministri i Drejtësisë e konfirmoi pranimin e dorëheqjes.

Adriatik Kupi, i cili mori detyrën më 1 prill, e përshkroi kohën e menaxhimit të burgjeve prej tij si jo të lehtë.

E ndërsa nuk bëri publike të fshehtat e dorëheqjes, ish-drejtori i përgjithshëm tha se “Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë”.

Duke i lënë pa emra gurët e hedhur dhe në mister arsyet e kësaj vendimmarrjeje, Kupi shton se për disa gjëra koha do të flasë më qartë.

Ndërkohë, tre orë pas këtij njoftimi, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri me dije se pranoi dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve.

Duke u shfaqur falënderues për përkushtimin e ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, ministri Toni Gogu sqaron se procedurat për emërimin e drejtorit të ri të burgjeve do të ndiqen sipas ligjit. Top Channel