Lajme Zone
Pas deklaratës së Kuvendit tek veprimi, çfarë duhet të bëjë Shqipëria për Kosovën
PolitikëReport TV

Pas deklaratës së Kuvendit tek veprimi, çfarë duhet të bëjë Shqipëria për Kosovën

Qeveria duhet të shqyrtojë mundësinë për t’i kërkuar Dhomës së Apelit leje për paraqitjen e një opinioni amicus curiae, ose për të mbështetur një parashtrim të tillë nga ekspertë të pavarur, nëse rregullat procedurale e lejojnë.

Pas deklaratës së Kuvendit tek veprimi, çfarë duhet të bëjë Shqipëria për Kosovën Deklarata e Kuvendit të Shqipërisë është një lajm i mirë dhe një qëndrim i shumëpritur. Pohimi se asnjë aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli, të zhbëjë karakterin çlirimtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën e vendos shtetin shqiptar në pozicionin që i takon. Po aq i rëndësishëm është zotimi për koordinim me Kuvendin e Kosovës dhe për ndjekjen e kësaj çështjeje në forumet ndërkombëtare. LEXO edhe...Kosovë/ Hamza viziton familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi: Do të vazhdojmë betejën për drejtësi deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë Por një deklaratë parlamentare, sado e drejtë dhe e fortë, nuk përbën ende strategji shtetërore. Tani radhën e ka qeveria shqiptare dhe, para së gjithash, kryeministri Edi Rama. Ai duhet të bashkëpunojë seriozisht me Albin Kurtin, t’i lërë mënjanë mllefet, marazet dhe përplasjet personale dhe ta shndërrojë vullnetin e shprehur nga Kuvendi në veprim konkret. Kjo çështje është shumë më e madhe se marrëdhënia mes dy kryeministrave, llogaritë partiake në Prishtinë e Tiranë apo simpatitë personale ndaj katër të dënuarve. Ajo prek standardet e drejtësisë, të vërtetën historike, karakterin e luftës çlirimtare dhe themelet mbi të cilat u ngrit shteti i Kosovës. Shqipëria ndodhet në një pozitë shumë më të favorshme se Kosova për ta zhvilluar këtë betejë. Ajo është shtet me njohje të pakontestuar ndërkombëtare, anëtare e OKB-së, NATO-s dhe Këshillit të Europës, si dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ka qasje në më shumë organizata ndërkombëtare, një rrjet diplomatik më të gjerë, më shumë burime financiare dhe institucione që mund të vihen në dispozicion. Prandaj Tirana nuk mund të sillet si një spektatore dhe komentatore e jashtme që lëshon një deklaratë solidariteti dhe pastaj kthehet në rutinën e saj. Detyra e saj është të përdorë peshën që Kosova ende nuk e ka, për ta nxjerrë atë nga izolimi diplomatik dhe për ta ndërkombëtarizuar kërkesën për drejtësi. Hapi i parë duhet të jetë krijimi i një mekanizmi të përbashkët shtetëror Shqipëri–Kosovë. Jo një komision honorifik për fotografi e mbledhje ceremoniale, por një strukturë funksionale me drejtues të përcaktuar, sekretariat profesional, buxhet, afate dhe objektiva të matshme. Në të duhet të përfshihen ministritë e jashtme dhe të drejtësisë, arkivat shtetërore, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, historianë, studiues ushtarakë, diplomatë dhe specialistë të komunikimit strategjik. Ky mekanizëm duhet të raportojë periodikisht para të dy kuvendeve. Pa përgjegjësi, financim dhe afate, edhe deklarata më e fortë folklorike përfn në arkivin e fjalimeve të harruara. Brenda kufijve të ligjit, Shqipëria duhet të mbështesë ekipet e mbrojtjes me kërkime, dokumente, analiza ushtarake, ekspertiza historike dhe opinione juridike ndërkombëtare. Nuk bëhet fjalë për ndërhyrje politike te gjykata, por për krijimin e barazisë reale të mjeteve përballë një prokurorie që ka disponuar burime të jashtëzakonshme financiare dhe institucionale. Katër të dënuarit nuk mund të lihen vetëm me avokatët dhe familjet e tyre, ndërsa përballë tyre qëndron një aparat ndërkombëtar i ushqyer për vite edhe me dosje, dokumente dhe narrativa të prodhuara nga Serbia. Tirana ka edhe një arsye të drejtpërdrejtë institucionale për t’u angazhuar. Procedimet kanë trajtuar pretendime për ngjarje dhe vende në territorin shqiptar. Kjo nuk i jep Shqipërisë të drejtë automatike të ndërhyjë në proces, por e bën shtetin shqiptar zotërues të dokumenteve, dëshmive dhe informacioneve zyrtare me rëndësi. Shqipëria duhet të hapë, inventarizojë dhe digjitalizojë arkivat e policisë, ushtrisë, shërbimeve të sigurisë, pushtetit vendor dhe administratës që lidhen me kufirin, kampet e refugjatëve, lëvizjet logjistike dhe menaxhimin e krizës humanitare të viteve 1998–1999. Nëse shteti shqiptar disponon prova që hedhin dritë mbi atë që ndodhi realisht në territorin e tij, ka detyrimin t’i identifikojë dhe t’i bëjë të përdorshme juridikisht. Qeveria duhet të shqyrtojë mundësinë për t’i kërkuar Dhomës së Apelit leje për paraqitjen e një opinioni amicus curiae, ose për të mbështetur një parashtrim të tillë nga ekspertë të pavarur, nëse rregullat procedurale e lejojnë. Një amicus nuk është fjalim patriotik, por ndërhyrje profesionale e mbështetur në ligj, dokumente dhe ekspertizë. Shqipëria nuk mund t’i imponojë gjykatës përfundime, por mund të sigurojë që e vërteta institucionale mbi ngjarjet në territorin e saj të mos mungojë nga dosja. Një detyrë tjetër është botimi i një libri të bardhë shtetëror mbi pretendimet e raportit të Dick Marty-t. Ai duhet të rindërtojë kronologjinë e akuzave për trafik organesh dhe të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”, hetimet e kryera, provat e administruara dhe përfundimin se cilat pretendime u materializuan në akuza e aktgjykim dhe cilat jo. Fakti që dënimet lidhen me ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, dhe jo me trafik organesh, nuk e rrëzon automatikisht gjithë gjykatën. Por kërkon llogaridhënie për akuzat sensacionale që shërbyen si origjinë politike dhe morale e krijimit të saj. Paralelisht duhet ngritur një ofensivë e mirëfilltë diplomatike dhe e komunikimit publik. Ambasadat shqiptare në Uashington, Bruksel, Londër, Berlin, Paris, Romë dhe Hagë duhet të pajisen me një dosje të vetme, të verifikuar dhe të përkthyer në gjuhët kryesore. Diplomatët duhet të punojnë me qeveri, parlamente, universitete, institute juridike, organizata të të drejtave të njeriut dhe media serioze. Qëllimi nuk është ushtrimi i trysnisë ndaj gjyqtarëve, por mbrojtja e standardeve të procesit të rregullt dhe pengimi i shndërrimit të përgjegjësisë individuale në aktakuzë kolektive ndaj UÇK-së dhe luftës çlirimtare. Shqipëria duhet të financojë kërkime, botime, përkthime dhe konferenca ndërkombëtare. Duhet të kontraktojë ekspertë juridikë, akademikë, historianë ushtarakë, institute dhe think tank-e prestigjioze, jo për të blerë përfundime, por për të prodhuar studime të pavarura dhe të verifikueshme. Mund dhe duhet të angazhohen kompani profesionale lobimi në Uashington dhe Bruksel, me mandat, financim dhe raportim transparent. Serbia ka investuar prej dekadash për ta shkruar narrativën e saj në gjuhën që kuptojnë kancelaritë, universitetet dhe gjykatat. Shqipëria duhet më në fund të investojë për ta mbrojtur të vërtetën tonë me të njëjtin seriozitet. Në këtë përpjekje duhet mobilizuar edhe diaspora shqiptare, veçanërisht juristët, akademikët, diplomatët, studiuesit, gazetarët dhe profesionistët e komunikimit në SHBA dhe Europë. Krahas tyre duhen aktivizuar miqtë dhe dashamirësit e shqiptarëve që kanë autoritet në politikë, diplomaci dhe botën akademike. Por mobilizimi nuk mund të jetë spontan dhe emocional. Duhet një rrjet i koordinuar, me material të përbashkët faktik, ndarje përgjegjësish dhe objektiva konkrete në universitete, parlamente, media dhe qendra vendimmarrjeje. Kjo betejë nuk duhet të paraqitet vetëm si mbrojtje e katër udhëheqësve. Në qendër duhet të vendosen mijëra viktima shqiptare, personat ende të zhdukur, të mbijetuarat e dhunës seksuale, familjet e masakruara dhe njerëzit e dëbuar nga shtëpitë e tyre. Çdo dosje diplomatike duhet të përmbajë dokumentimin e masakrave, dëbimeve, shkatërrimit të pronave dhe operacionit shtetëror për fshehjen e trupave në varreza masive në Serbi. Vetëm kështu përgjegjësia individuale nuk mund të përdoret për të prodhuar një barazi të rreme mes rezistencës së një populli dhe dhunës së organizuar të një shteti. Tirana duhet ta kthejë hapjen e arkivave ushtarake, policore dhe të shërbimeve serbe në kërkesë të vazhdueshme diplomatike. Duhet ta ngrejë këtë çështje në Këshillin e Europës, OSBE, OKB dhe në marrëdhëniet dypalëshe. Duhet të kujtojë edhe deklaratën e raportuar të Ivica Daçiqit në vitin 2020, kur sulmoi serbët që tregonin vendndodhjen e varrezave masive të shqiptarëve. Nuk mund të ketë pajtim ndërsa njëra palë detyrohet të shpjegojë çdo faqe të luftës, kurse arkivat e aparatit që organizoi spastrimin, dëbimin dhe fshehjen e kufomave mbeten të mbyllura. Shqipëria dhe Kosova duhet të shqyrtojnë së bashku edhe kuadrin juridik që mundësoi funksionimin e Dhomave të Specializuara. Ky mekanizëm mbështetet te shkëmbimi i letrave i ratifikuar nga Kosova, amendamenti kushtetues dhe ligji i posaçëm. Për këtë arsye, rishikimi apo rinegocimi nuk mund të bëhet me improvizim dhe as me një deklaratë të njëanshme politike. Nevojitet një ekip i përbashkët i së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare për të përcaktuar çfarë mund të ndryshohet, nga kush dhe me çfarë pasojash. Objektivi duhet të jetë korrigjimi i asimetrive, garantimi i të drejtave dhe vendosja e kufijve të qartë kohorë, financiarë dhe proceduralë. Duhet hartuar gjithashtu një dosje e plotë për shkeljet e pretenduara gjatë funksionimit të gjykatës sikurse janë: paraburgimin e tejzgjatur, kohëzgjatjen e procedurës, refuzimin e garancive të ofruara nga shtete sovrane, pabarazinë e mjeteve mes prokurorisë dhe mbrojtjes dhe çdo cenim tjetër të procesit të rregullt. Kjo dosje duhet t’u drejtohet mekanizmave të kontrollit, Ombudspersonit, Dhomës së Apelit dhe çdo institucioni tjetër europian që mund të ketë juridiksion. Kritika duhet të mbështetet në vendime, statistika dhe standarde krahasuese; përndryshe ajo reduktohet në zemërim politik që mund të shpërfillet lehtësisht. Vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet edhe përbërjes së trupave gjykues. Nuk mund të pranohet që çështja të shqyrtohet nga gjyqtarë që mund të mbartin paragjykime institucionale nga angazhimi i tyre i mëparshëm në UNMIK ose EULEX, veçanërisht kur kanë pasur lidhje me hetime, materiale apo qëndrime që prekin të njëjtën çështje. Shërbimi në këto misione nuk provon vetvetiu njëanshmëri, por ndërthurja e tij me përfshirjen në hetimet e mëparshme, deklarimet publike, njohjen paraprake të dosjeve apo qëndrimet e formuara mund të krijojë dyshime objektivisht të arsyeshme për paanshmërinë. Në çdo rast të tillë, ekipet juridike duhet të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit dhe ndryshimin e trupit përkatës, tanimë që janë vënë re shkelje të shumta procedurale. Një ekip ekspertësh të përbashkët Shqipëri Kosovë, mund të analizojë edhe nëse parimi rebus sic stantibus (ndryshimi themelor i rrethanave) mund të përdoret për të kërkuar rishikimin e marrëveshjeve fillestare me Brukselin. Pra mund të shqyrtohet nëse premisat kanë ndryshuar rrënjësisht; pra nëse akuzat për trafik organesh nuk u materializuan në aktgjykim, ndërsa një mekanizëm i menduar si i përkohshëm është shndërruar në një strukturë shumëvjeçare me pasoja të mëdha kushtetuese, financiare dhe politike. Në fund të fundit, kjo është një gjykatë hibride e ndërtuar sipas një modeli të pazakontë, eksperimental dhe pa precedent të plotë në këtë formë. Nuk ka asgjë të papranueshme në rishqyrtimin e saj: defektet dhe shkeljet e evidentuara duhet të adresohen, rregullat të përmirësohen dhe, kur është e nevojshme, struktura të riorganizohet. Asnjë institucion drejtësie nuk mund të pretendojë se është i pakorrigjueshëm. Për më tepër Shqipëria duhet ta ngrejë çështjen edhe në NATO e cila damkoset nga verdikti i Hagës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte zbatim në praktikë i parimit moral dhe politik që më vonë u institucionalizua si Responsibility to Protect: kur një shtet masakron dhe dëbon popullsinë e vet, sovraniteti nuk mund të përdoret si mburojë kundër ndërhyrjes ndërkombëtare. Prandaj kriminalizimi i udhëheqjes së UÇK-së i shërben narrativës serbo-ruse jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër legjitimitetit të ndërhyrjes humanitare të Perëndimit. Rrjedhimisht, njollosja nga gjyqi politik i gjithë udhëheqjes së UÇK-së i jep propagandës serbo-ruse municion për të delegjitimuar ndërhyrjen humanitare të NATO-s dhe për ta paraqitur Perëndimin si aleat të një “ndërmarrjeje kriminale”. Por angazhimi nuk mund të përfjë me apelin. Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë një institut të përbashkët për krimet e luftës dhe kujtesën kolektive, me arkiv digjital shumëgjuhësh, programe universitare, bursa kërkimore dhe partneritete me qendra prestigjioze ndërkombëtare. Nuk mund ta rindërtojmë historinë nga e para sa herë hapet një gjyq, publikohet një raport apo shpërthen një fushatë propagandistike. Kujtesa kolektive duhet të jetë institucion shtetëror dhe jo reagim emocional ndaj krizës së radhës. Rrjedhimisht kjo duhet të shndërrohet në politikë kombëtare dhe bilaterale dhe jo në projekt personal të Ramës apo Kurtit. Përballë kësaj sfide kombëtare kërkohet një armëpushim i brendshëm politik ku pozita, opozita, akademitë, universitetet, shoqëria civile, familjet e viktimave dhe diaspora duhet të marrin masa në mënyrë që strategjia të vazhdojë pavarësisht ndryshimit të qeverive. Kujtesa historike nuk mund të varet nga marrëdhënia e ditës mes dy kryeministrave dhe as nga kalendari zgjedhor partiak. Deklarata e Kuvendit e ka thyer heshtjen, por tani duhet të fillojë puna e shtetit. Kosova duhet ta luftojë aktgjykimin me ligj dhe prova dhe Shqipëria duhet ta luftojë izolimin e Kosovës me diplomaci, arkiva, dije, financim dhe peshën e saj ndërkombëtare. Sepse në betejat e kujtesës nuk mjafton ta kesh të vërtetën me vete por duhet të ndërtosh edhe fuqinë institucionale që e dokumenton, e mbron dhe e bën të dëgjohet në botë. Xh.K/ReportTv.al kosove shqiperi Gjyqi ndaj UCK ne Hage adri nurellari Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.2% Të gabuar 89.1% Nuk e di 4.7% Vota total: 4477 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?