Lajme Zone
Partneriteti i ri SHBA-Serbi: Stabilitet për Ballkanin apo avantazh për Beogradin?
PolitikëPamfleti

Partneriteti i ri SHBA-Serbi: Stabilitet për Ballkanin apo avantazh për Beogradin?

Vetëm pak javë më vonë, në Prokuplje, Ushtria Serbe dhe Garda Kombëtare e Ohajos po zhvillojnë një stërvitje të përbashkët inxhinierike. Në pamje të parë, bëhet fjalë për një aktivitet rutinë.

Foto e gjeneruar me AI Pas dialogut të parë strategjik SHBA-Serbi në Uashington dhe intensifikimit të bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ohajos, marrëdhëniet mes dy vendeve po hyjnë në një fazë të re. Pyetja nuk është më nëse Uashingtoni po afrohet me Beogradin, por sa larg do të shkojë ky afrim dhe çfarë do të ndryshojë ai në ekuilibrat e brishtë të Ballkanit. Më 17 korrik, Shtetet e Bashkuara dhe Serbia zhvilluan në Uashington dialogun e parë strategjik në historinë e marrëdhënieve dypalëshe. Vetë ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, e përshkroi këtë si ngritjen e marrëdhënieve në nivelin e një partneriteti strategjik. Në tryezë nuk ishte vetëm siguria. Palët diskutuan mbi energjinë, infrastrukturën, mbrojtjen, teknologjinë 5G, hapësirën dhe fusha të tjera të bashkëpunimit. Po ashtu, u nënshkrua edhe një memorandum për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale të energjisë.

Vetëm pak javë më vonë, në Prokuplje, Ushtria Serbe dhe Garda Kombëtare e Ohajos po zhvillojnë një stërvitje të përbashkët inxhinierike. Në pamje të parë, bëhet fjalë për një aktivitet rutinë.

Por Prokuplja është vetëm pjesa më e fundit e një marrëdhënieje ushtarake që zgjat prej vitit 2006 dhe që gjatë dy dekadave është shtrirë në stërvitje, siguri kibernetike, inxhinieri, mjekësi, mbrojtje civile dhe përgatitje për misione paqeruajtëse.

Prandaj, rëndësia e zhvillimit të fundit nuk qëndron te makineritë që po përdoren në Prokuplje. Ajo që duhet vëzhguar është lidhja mes këtyre aktiviteteve dhe një politike amerikane që po e sheh Serbinë me sy tjetër.

Për vite me radhë, marrëdhënia SHBA-Serbi ka mbetur e kushtëzuar nga trashëgimia e luftërave të viteve ’90, Kosova dhe orientimi i Beogradit drejt Moskës dhe Pekinit. Sot Uashingtoni po përpiqet të ndërtojë një marrëdhënie më pragmatike.

Analizat e fundit mbi politikën amerikane për Ballkanin, e përshkruajnë këtë si një kalim nga një marrëdhënie e ngarkuar me konflikte të pazgjidhura drejt një partneriteti të bazuar gjithnjë e më shumë në interesa të përbashkëta.

Kjo nuk do të thotë se Serbia po largohet nga Rusia apo Kina. Përkundrazi, Beogradi vazhdon të luajë politikën e tij shumëvektoriale. Pikërisht këtu qëndron edhe aftësia djallëzore e Aleksandër Vuçiç: të marrë kapitalin, teknologjinë dhe mbështetjen politike nga Perëndimi, ndërsa e ruan hapësirën për marrëdhënie me Moskën dhe Pekinin.

Por këtë herë edhe Uashingtoni duket se ka një interes të qartë. Serbia është shteti më i madh i Ballkanit Perëndimor jashtë NATO-s dhe një prej vendeve me peshën më të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake në rajon.

Nëse SHBA-ja arrin ta afrojë Beogradin, ajo fiton një kanal të drejtpërdrejtë ndikimi në një hapësirë ku përplasen interesat amerikane, evropiane, ruse, kineze dhe turke. Nga këndvështrimi amerikan, kjo mund të jetë një strategji racionale.

Një Serbi më e lidhur me ekonominë, energjinë dhe strukturat e sigurisë perëndimore mund të nënkuptojë më pak hapësirë për ndikimin rus. Shumë analistë dhe njohës të mirë të politikës amerikane e kanë argumentuar pikërisht këtë: afrimi me Beogradin mund ta ndihmojë Serbinë të integrohet më shumë në zinxhirët perëndimorë të energjisë dhe të zvogëlojë varësinë nga Moska.

Por problemi është se një Serbi më e afërt me Uashingtonin, nuk është automatikisht një Serbi më pak ambicioze në Ballkan. Përkundrazi, ekziston rreziku që një marrëdhënie e privilegjuar me SHBA-në t’i japë Beogradit një peshë të re rajonale.

Nëse Serbia merr investime amerikane, teknologji, bashkëpunim të thelluar institucional dhe një kanal të drejtpërdrejtë me administratën amerikane, do të forcohet pozita e saj ndaj fqinjëve. Dhe këtu shfaqet pyetja më delikatee: çfarë do të ndodhë me Kosovën?

Kosova nuk është thjesht një çështje tjetër në politikën e jashtme serbe. Përkundrazi, ajo është tema mbi të cilën përplasen drejtpërdrejt interesat e Beogradit dhe Uashingtonit. Në të njëjtën kohë që Serbia po hap dialogun strategjik me SHBA-në, është pezulluar ai Uashington-Prishtinë.

Ky kontrast është politikisht shumë domethënës. Sigurisht, nuk ka asnjë bazë për të thënë se SHBA-ja po ndryshon qëndrimin e saj themelor ndaj Kosovës. Por është e qartë se Beogradi po fiton një kanal të ri dhe shumë më të drejtpërdrejtë për të paraqitur interesat e veta në Uashington.

Nëse kjo marrëdhënie thellohet pa një ekuilibër të qartë me Kosovën, rrezikon të krijohet perceptimi se Serbia po shpërblehet për rëndësinë e saj gjeopolitike, ndërsa çështjet e pazgjidhura rajonale shtyhen në plan të dytë.

Bosnje Hercegovina është një tjetër pikë kritike. Një Serbi që forcon marrëdhëniet me Uashingtonin, ndërsa ruan ndikimin e saj mbi Republikën Srpska, mund të fitojë një rol më të madh në përcaktimin e ekuilibrave të Bosnjës.

Për më tepër, këtu ekziston një paradoks i rrezikshëm. Aktori që shpesh shihet si pjesë e problemit të stabilitetit, mund të bëhet njëkohësisht pjesë e arkitekturës së re që synon ta garantojë atë. Kjo nuk do të thotë se duhet kundërshtuar bashkëpunimi amerikan me Serbinë.

Përkundrazi, një Serbi më e lidhur me institucionet perëndimore, me ekonominë amerikane dhe me standardet euroatlantike mund të jetë në interes të të gjithë rajonit. Problemi fillon nëse afrimi bëhet vetëm një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Beogradit, pa një kuadër të qartë rajonal.

Sepse Ballkani nuk është një tabelë shahu ku mund të ndryshohet vetëm një gur pa prekur të tjerët. Nëse Serbia forcon marrëdhëniet me SHBA-në, por njëkohësisht ruan marrëdhëniet strategjike me Rusinë dhe Kinën, atëherë Beogradi mund të bëhet një nyje e pazëvendësueshme për disa fuqi njëherësh.

Nëse kësaj i shtohet një rol më i madh në energji, infrastrukturë dhe siguri, pesha e Serbisë në rajon mund të rritet ndjeshëm. Kjo do të ishte një sfidë edhe për Bashkimin Evropian. BE-ja ka qenë prej vitesh aktori kryesor ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor, por nëse Uashingtoni ndërton një marrëdhënie strategjike të drejtpërdrejtë me Beogradin, ekziston rreziku që Brukseli të humbasë një pjesë të ndikimit të tij.

Serbia mund të negociojë me SHBA-në për sigurinë, me Kinën për infrastrukturën, me Rusinë për energjinë dhe me BE-në për anëtarësimin. Një politikë e tillë, do t’i jepte Beogradit një avantazh të jashtëzakonshëm negociues.

Prandaj, ajo që po ndodh nuk duhet parë si një rikthim i thjeshtë i Serbisë në Perëndim. Është më shumë një përpjekje amerikane për ta tërhequr Serbinë më afër vetes, pa kërkuar domosdoshmërisht që ajo të shkëputet menjëherë nga Rusia dhe Kina.

Dhe kjo është një lojë shumë më komplekse nga sa duket në pamje të parë. Marrëdhëniet SHBA-Jugosllavi në kohën e Titos ishin unike dhe nuk mund të barazohen drejtpërdrejt me marrëdhëniet e sotme SHBA-Serbi.

Jugosllavia ishte një shtet tjetër, me një pozitë të veçantë në lëvizjen e të painkuadruarve dhe një rol ndërkombëtar që Serbia e sotme nuk e ka. Por mund të thuhet se ky vit, po sjell një prej përpjekjeve më të rëndësishme të dekadave të fundit për ta ngritur marrëdhënien SHBA-Serbi në një nivel strategjik dhe shumëdimensional.

Vetë palët e kanë paraqitur dialogun e korrikut si një hap drejt një partneriteti më të qëndrueshëm. Prandaj, stërvitja e Prokupljes është më shumë se një aktivitet ushtarak. Ajo përfaqëson një gur tjetër në një marrëdhënie që po ndërtohet me kujdes prej dy dekadash dhe që tani po merr një dimension shumë më të gjerë.

Pyetja që duhet t’i bëjnë vetes Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe vendet e tjera të rajonit nuk është nëse duhet të kundërshtojnë afrimin SHBA-Serbi. Pyetja është nëse ky afrim do të shoqërohet me të njëjtën vëmendje amerikane ndaj ekuilibrave rajonalë, sovranitetit, demokracisë dhe çështjeve të pazgjidhura.

Sepse një Serbi më e lidhur me Perëndimin mund të jetë një lajm i mirë për Ballkanin. Por një Serbi që fiton peshë të re në Uashington pa marrë përsipër përgjegjësi të reja ndaj fqinjëve, do të ishte një histori krejt tjetër.

Në fund, gjithçka do të varet nga ajo që kërkon Uashingtoni në këmbim të këtij afrimiteti. Nëse kërkon një Serbi më të integruar në Perëndim dhe një rajon më të qëndrueshëm, marrëdhënia mund të bëhet një instrument stabiliteti.

Por nëse mjaftohet me një partner të fuqishëm në Beograd, duke toleruar ambiciet e tij rajonale për hir të interesave afatshkurtra amerikane, atëherë Ballkani mund të hyjë në një fazë të re të rivaliteteve.

Dhe pikërisht ky është rreziku që duhet vëzhguar tani. Pra jo afrimi SHBA-Serbi në vetvete, por çmimi që mund të paguajë rajoni nëse ky partneritet ndërtohet mbi forcimin e njërit aktor dhe jo mbi balancimin e gjithë hapësirës ballkanike./ Përshtati "Pamfleti", nga "Srpske Novine"partneriteti i ri shba-serbi ballkani Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Plani për t'i dhënë fund konfliktit në Gaza, 8 vende akuza Izraelit: Po bllokon paqen! 16 Gusht 2026, 19:2519:25Rajoni dhe Bota Nga pista e grupeve shqiptare te heshtja për njeriun që organizoi atentatin ndaj tij, çfarë po fsheh gazetari Ranucci? 16 Gusht 2026, 19:1119:11Rajoni dhe Bota Korrupsion me tenderët e naftës, sekuestrohen 26 mln dollarë dhe mbi 60 kg ar në Irak; nën hetim zyrtarë të lartë 16 Gusht 2026, 18:5518:55Rajoni dhe Bota Plani i Trump për Gazën në udhëkryq, Kushner takohet me presidentin egjiptian dhe përgatit vizitën në Izrael 16 Gusht 2026, 18:0618:06Rajoni dhe Bota Ku po shkon Perëndimi? 16 Gusht 2026, 17:4017:40Rajoni dhe Bota Zjarr në aeroportin e Milanos, digjet ngarkesa me bagazhe 16 Gusht 2026, 17:2517:25Rajoni dhe Bota