Aleksandër Vuçiç është ulur sot në bankat e opozitës në Parlamentin e Serbisë, pas 14 vitesh qeverisjeje të Partisë Progresive Serbe (SNS). Në anën tjetër të sallës janë 140 deputetët e Listës Studentore, fitues të zgjedhjeve të 25 tetorit, që erdhën pas dy vitesh protestash kundër pushtetit të tij. Dita nisi me qindra mbështetës të mbledhur në Parkun e Pionierëve në Beograd. Deputetët e studentëve kaluan mes tyre nën brohoritjet “Fitore” dhe “Jepi gaz”, përpara se të hynin së bashku në godinën e Parlamentit. Ndryshe u pritën përfaqësuesit e SNS-së, ndaj të cilëve pati vërshëllima. LEXO edhe...Studentët e propozojnë për kryetar të Parlamentit të Serbisë, kush është profesori Aleksandar Çupiç? Babai i 6 fëmijëve strehoi qindra protestues në fermën e tij Situata u tensionua kur deputetes së SNS-së, aktores Lidija Vukiçeviç, një grua i hodhi kos në flokë. Vuçiç e dënoi incidentin dhe akuzoi mbështetësit e studentëve për sulme verbale e fizike ndaj deputetëve të partisë së tij. Ai pretendoi gjithashtu se policia nuk kishte ndërhyrë dhe foli mbi 90 minuta në Kuvend. Pas verifikimit të mandateve, Kuvendi u shpall zyrtarisht i konstituuar dhe deputetët e shtatë listave zgjedhore bënë betimin. Por punimet u shoqëruan me ndërprerje të gjata. “Kemi qenë dy herë nga 10 minuta në sallë. Mendoj se kjo është paksa e papërgjegjshme nga ana e atij që drejton seancën”, deklaroi Aleksandar Çupiç, kandidati i studentëve për kryetar të Parlamentit. Për të njëjtën detyrë, SNS-ja ka propozuar matematikanin dhe profesorin në pension Stojan Radenoviç, i cili drejtoi edhe seancën konstituive si deputeti më i moshuar. Vuçiç mori fjalën për të mbështetur kandidaturën e tij, duke deklaruar se Radenoviç “ka më shumë punime shkencore sesa të 250 deputetët së bashku”. Gjatë fjalës së tij pati kundërshtime nga Jovo Bakiç, sociologu i zgjedhur në krye të grupit parlamentar të Listës Studentore. Vetë Vuçiç do të drejtojë grupin parlamentar të SNS-së, me Milenko Jovanovin si zëvendës. Deputetët e studentëve kanë premtuar se do të ndryshojnë mënyrën si funksionon Kuvendi. “Të gjithë kemi parë një parlament që nuk funksiononte, vazhdimisht në konflikt dhe plot urrejtje. Tani duhet të jetë ndryshe dhe do të jetë ndryshe”, tha për televizionin N1 aktori dhe deputeti Bojan Dimitrijeviç. “Nuk kemi ardhur këtu për të bërë cirk apo për të shpërdoruar kohën dhe paratë e taksapaguesve”, shtoi ai. Me konstituimin e Parlamentit ka nisur edhe afati ligjor prej 90 ditësh për formimin e qeverisë së re. Lista Studentore, e përbërë nga akademikë, profesionistë, fermerë, aktorë dhe aktivistë të përzgjedhur nga asambletë studentore, ka premtuar luftë kundër korrupsionit dhe ndryshime në institucione. “Të gjithë kemi parë një parlament që nuk funksiononte, vazhdimisht në konflikt dhe plot urrejtje. Tani duhet të jetë ndryshe dhe do të jetë ndryshe”, tha për televizionin N1 aktori dhe deputeti i ri Bojan Dimitrijeviç. “Nuk kemi ardhur këtu për të bërë cirk apo për të shpërdoruar kohën dhe paratë e taksapaguesve që paguajnë për mbledhjet tona. Gjithçka duhet të jetë e shkurtër dhe efikase”, shtoi ai. Lëvizja studentore ka premtuar reforma në disa fusha, nga përmirësimi i shërbimit shëndetësor dhe arsimit deri te dyfishimi i buxhetit të mbrojtjes. Qeveria e re do të duhet gjithashtu të ruajë ekuilibrin mes lidhjeve historikisht të ngushta të Serbisë me Rusinë dhe synimit të deklaruar prej kohësh për anëtarësim në Bashkimin Europian. Një tjetër çështje që e pret është marrëdhënia me Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh. Ndërkohë, zgjedhja e kryetarit të Parlamentit do të përcaktojë edhe presidentin e ri në detyrë. Kjo detyrë mbahet nga kryetari i Kuvendit që prej shtatorit, kur Aleksandar Vuçiç ndërpreu mandatin e tij të dytë presidencial për të kandiduar për kryeministër. Zgjedhjet e parakohshme presidenciale duhet të shpallen deri më 27 nëntor dhe të zhvillohen deri më 27 dhjetor. Si lëvizja studentore, ashtu edhe Partia Progresive Serbe e Vuçiçit pritet të paraqesin kandidatë për president. Vetë Vuçiç nuk mund të kandidojë sërish për këtë post, pasi Kushtetuta e Serbisë lejon vetëm dy mandate presidenciale. Ora 16:07 Studentët e propozojnë për kryetar të Parlamentit të Serbisë, kush është profesori Aleksandar Çupiç? Babai i 6 fëmijëve strehoi qindra protestues në fermën e tij Aleksandar Çupiç është kandidati që Lista Studentore ka propozuar për kryetar të Parlamentit të Serbisë, pas fitores në zgjedhjet e 25 tetorit. Por rruga e tij drejt politikës nis nga një fermë familjare në Sopot, ku ai dhe bashkëshortja e tij strehuan qindra studentë gjatë protestave kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiçit.Çupiç është pedagog në Fakultetin e Transportit dhe baba i gjashtë fëmijëve. Në vitin 2012, kur Vuçiç erdhi në pushtet, ai dhe bashkëshortja Ana vendosën të largoheshin nga Beogradi dhe të zhvendoseshin në një fshat të komunës së Sopotit. Të dy vinin nga Prokuplja dhe donin t'i rrisnin fëmijët larg jetës së qytetit.Fillimisht familja nisi të prodhonte ushqime për nevojat e veta. Me kalimin e kohës, prodhimi u zgjerua dhe në vitin 2017 ferma mori certifikimin për prodhim organik. Por Çupiç këmbëngul se jeta në fshat, me gjashtë fëmijë, fermën dhe dy punë kërkuese, nuk është aq romantike sa duket në televizor.Kontakti i tij i parë me lëvizjen studentore erdhi në dhjetor 2024, kur studentët e ftuan në një diskutim së bashku me tre profesorë të tjerë.Çupiç rrëfente se mbeti i befasuar nga mënyra si studentët organizonin mbledhjet dhe merrnin vendime.“E kuptova se ata komunikojnë më mirë se kushdo tjetër në sistemin tonë shoqëror. Ajo kulturë dialogu dukej sikur vinte nga një shoqëri dhe një kohë tjetër”, shprehej ai.Por ngjarja që e afroi më shumë me lëvizjen ndodhi gjatë marshimit të studentëve drejt Kragujevacit. Në Sopot, familja Çupiç u përpoq të gjente një sallë ku studentët mund të kalonin natën, por askush nuk pranonte t'i strehonte. Për këtë arsye, ata vendosën t'u hapnin serat e fermës së tyre.Fillimisht prisnin 200 deri në 300 studentë. Më pas numri i të rinjve që po afroheshin u rrit në 500, 600 dhe deri në 700. Familja nisi përgatitjet për t'i pritur të gjithë.Çupiç kujtonte se disa miq u sollën ushqime, por nuk guxuan as të dilnin nga makinat.“E sheh që te njeriu ka ende diçka njerëzore, por nga ana tjetër ka frikë dhe presion”, tregonte ai.Për të, strehimi i studentëve nuk ishte akt heroik.“Do të pranoja edhe studentët kundër bllokadave, nëse do të kishin nevojë për një vend ku të flinin. Ishte thjesht një veprim njerëzor”, shpjegonte Çupiç.Kur studentët i propozuan të bëhej pjesë e listës së tyre zgjedhore, Çupiç nuk ishte menjëherë dakord.“Në fillim nuk më dukej aspak ide e mirë. M'u bë një gur në stomak kur më telefonuan”, rrëfente ai.Ajo që e bindi ishte mënyra si studentët i dëgjonin edhe ata që nuk pajtoheshin me vendimet e tyre.“Studentët janë e vetmja organizatë që kam parë, e cila, kur duhet të marrë një vendim të rëndësishëm, përpiqet të përfshijë edhe ata që nuk janë dakord”, shprehej pedagogu.Ai pranoi kandidimin pa e ditur se në cilin vend do të renditej në listë. Sipas tij, vendimet nuk merreshin nga një grup i vogël njerëzish në Beograd, por nga qendrat universitare dhe komunitetet lokale.Në media Çupiç fliste edhe për mënyrën si e përfytyronte veten në Parlament: një deputet që u përgjigjet provokimeve me qetësi dhe argumente.“Politikanët tanë nuk janë profesionistë, por politikanë kronikë. Le t'u ofrojmë një program edukimi në Parlament”, deklaronte ai. Share Ora 13:48 Kaos para Parlamentit serb! Aktorja që kandidoi me Vuçiçin sulmohet me kos në ditën e parë si deputete, akuzon policinë se nuk ndërhyri (VIDEO) Seanca e parë e Parlamentit të ri të Serbisë, pas humbjes së pushtetit nga partia e Aleksandar Vuçiçit, u shoqërua me tensione në Beograd. Aktorja e njohur serbe Lidija Vukiçeviç, e zgjedhur deputete nga lista “Serbia e Bashkuar”, e mbështetur nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), u sulmua me kos teksa po hynte në ndërtesën e Parlamentit.Qytetarë të shumtë ishin mbledhur para Parlamentit, ku deputetët e Listës Studentore, fituese e zgjedhjeve të 25 tetorit, u pritën me brohoritje, ndërsa përfaqësuesit e ish-pushtetit me fishkëllima.Gruaja që i hodhi kos aktores është Marija Radovanoviç, ish-sekretare e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Beogradit, e shkarkuar vitin e kaluar pas mosmarrëveshjeve për procedurën e largimit të dekanes Tatjana Simiç.Vukiçeviç pretendoi se disa persona e kishin tërhequr dhe shkulur nga flokët përpara se t'i hidhnin kos.“Fillimisht nisën të më tërhiqnin nga pas, të më shkulnin flokët dhe më pas të më hidhnin kos. Kjo është e papranueshme ndaj kujtdo. Nuk do të pajtohem kurrë me atë që bëjnë ata. Do të vazhdoj të mendoj kështu deri në fund dhe nuk do të kem frikë”, deklaroi ajo.Duke folur nga holli i Parlamentit, aktorja tha se ndihej shumë keq pas incidentit.“Ndihem shumë keq sepse më sulmuan serbët. Gjithë jetën dhe karrierën time ia kam kushtuar Serbisë dhe popullit tonë, për t'i argëtuar dhe për të dhënë më të mirën time. Kemi arritur në një pikë ku, nëse nuk mund të ndihesh i sigurt përpara Parlamentit, atëherë ku mund të ndihesh? Pavarësisht britmave dhe fyerjeve, unë buzëqesha dhe i përshëndeta, por ai nivel primitivizmi, vulgariteti dhe sjelljeje është diçka për të cilën nuk kam fjalë”, tha Vukiçeviç.Ajo akuzoi gjithashtu policinë se nuk kishte ndërhyrë, megjithëse në vendngjarje ndodheshin dhjetëra efektivë.“Edhe sikur të më hedhin 30 litra kos, unë do të vazhdoj të bëj atë që bëj. Por dua vetëm t'ju pyes: Ku po shkon ky vend dhe kush synon ta drejtojë? Nga më shumë se 50 policë që ndodheshin aty, askush nuk reagoi”, u shpreh ajo.Pas incidentit, avokatët e organizatës Pištaljka, të cilët kishin përfaqësuar më parë Radovanoviçin në një çështje që lidhej me denoncimin e shkeljeve në Fakultetin e Mjekësisë, njoftuan ndërprerjen e përfaqësimit të saj ligjor. Share Xh.K/U.D/ReportTv.al Lista Studentore aleksander vucic serbi ana brnabiç Komento Komente Sondazhi i ditës: Rama shkarkon Veliaj nga drejtimi i PS-së së Tiranës, si e vlerësoni? Të drejtë 62.2% Të gabuar 27.5% Nuk e di 10.4% Vota total: 4550 Sondazhi i ditës: Rama shkarkon Veliaj nga drejtimi i PS-së së Tiranës, si e vlerësoni?

