Parashqevi Simaku, festoi dje 60-vjetorin e lindjes. Në ditën e saj të veçantë, këngëtarja ndau një mesazh të gjatë e të ndjerë, ku rrëfeu dy dëshirat që i ka më shumë për zemër: të takohet sërish me djalin e saj, Lukën, dhe të rikthehet në Shqipëri, veçanërisht në Kavajë, qytetin ku u rrit dhe kaloi vitet e rinisë.
Në një mesazh të gjatë dhe emocional, këngëtarja shprehet se mungesa e të birit është dhimbja që e prek më shumë në këtë ditëlindje.
“Kur një nënë mbush 60 vjeç, nuk numëron vetëm vitet që kanë kaluar… numëron edhe ato që ka kaluar pa praninë e fëmijës së saj”, shkruan Simaku.
Ajo i drejtohet të birit, duke shprehur dëshirën për ta pasur pranë dhe për të dëgjuar prej tij një urim për ditëlindje.
“Luka, nëse një ditë rrugët e jetës të sjellin tek unë, dije se nëna jote do të jetë aty… Pa pyetje. Pa qortime. Pa inate. Vetëm me lot në sy, krahët hapur dhe me një dashuri të pafund për djalin e saj”, shkruan ajo.
Simaku thotë se, pas 60 vitesh jetë, nuk kërkon shumë nga jeta.
Dëshira e parë dhe më e madhe për të është ribashkimi me djalin e saj, ndërsa e dyta është rikthimi në Shqipëri, veçanërisht në Kavajë, qytetin ku lindi dhe u rrit.
“Sa shumë më ka marrë malli për atë vend… Sa shumë dua të shkoj edhe një herë aty ku linda dhe u rrita”, shprehet këngëtarja.
Duke kujtuar vendlindjen, Simaku shkruan se mund të jetosh larg vendit ku ke lindur, por ai nuk largohet kurrë nga zemra.
“Kavaja ime ka një pjesë të shpirtit tim. Shqipëria ime ka kujtimet e mia”, shkruan ajo.
Në fund të mesazhit të saj, Parashqevi Simaku i drejtohet sërish të birit me një mesazh të ndjerë: “Luka, biri im, kudo që të jesh, mos harro kurrë: Nëna jote të do pafund dhe do të të presë gjithmonë.”

